Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar se vjeshta do të vijë me protesta nga ana e opozitës së bashkuar.
Gjatë takimit me banorët e Unazës së Re të cilët protestojnë kundër shembjes së banesave , ku nënshkroi dhe marrëveshjen mes tyre dhe Partisë Demokratike, Basha u shpreh se koha për të dhënë llogarinë finale para popullit po afron dhe se në shtator do të rinisin protestat popullore kundër qeverisë Rama.
Duke e cilësuar projektim e zgjerimit të Unazës së Madhe si një aferë korruptive, Basha theksoi ndër të tjera se arroganca e shpërfillja e Edi Ramës ndaj banorëve të Unazës është etaloni i sjelljes së tij me të gjithë shqiptarët.
“Ky është projekti i vetëm i Edi Ramës, vjedhja juaj, grabitja juaj dhe mosdhënia llogari për shkeljen e përditshme dhe të përnatshme të kushtetutës dhe të ligjit. Por laku po ngushtohet e po shtrëngohet e despotit të inkriminuar dhe hajdutit psikik Edi Rama. Koha për të dhënë llogarinë finale para popullit po afron, dhe unë kam kënaqësinë dhe nderin, që para nisjes së shtatorit të protestave popullore dhe të dialogut kombëtar e platformës kombëtare “Për Shqipërinë si e gjithë Europa”, që këtë ta nisim me nënshkrimin e Marrëveshjes së sotme, marrëveshjes dhe kontratës me banorët e Unazës së Re. Hajdutëria, arroganca, shpërfillja e Edi Ramës ndaj banorëve të Unazës është etaloni i sjelljes së tij me të gjithë shqiptarët”, theksoi Basha.