Një forcë e re politike, pritet të dalë në skenë, në vjeshtën e këtij viti.
Mesa duket 70 partive shqiptare do t’iu shtohet edhe një tjetër lëvizje politike, e cila pritet të dalë nga brenda Partisë Demokratike.
Burime nga themeluesit i thanë CNA.al, se në muajt Shtator-Tetor, një grup deputetësh të listës Basha dhe përfaqësues të Partisë Demokratike në Parlament do të themelojnë një parti të re, një parti të djathtë, me një profil të djathtë.
Mësohet se pjesë e këtij grupi nismëtar për themelimin e kësaj force të re politike të jetë edhe Myslim Murrizi, një nga kritikët e Lulzim Bashës dhe një nga njerëzit që nuk dorëzoi mandatin e deputetit.
Por pritet që Murrizi, të qëndrojë në hije dhe në rrjeshtin e parë e themelimit të partisë të jenë një grup deputetësh si Alban Zeneli, i cili hyri në listë së fundmi por që ka qenë edhe deputet në mandatin e kaluar.
Halit Valteri një nga ish mbështetësit e zjarrtë dhe të flaktë të Lulzim Bashës, një nga kryesorët e tij, një nga njerëzit që përplasej dhe kririkonte këdo që i dilte përballë Lulit, tashmë duket se ka ndryshuar linjë për të shkuar drejt një force të re politike në krah të Alban Zenelit.
Një tjetër personazh që do t’i bashkëngjitet është edhe Korab Lita, ish kreu i PD-së, Kamzë, nënkryetari i kësaj Bashkie, një nga njerëzit me mjaft kontribute të mëdha në Partinë Demokratike.
Pra, të gjithë këta emra dhe shumë të tjerë që pritet t’i bashkohen nga brenda grupit demokrat, janë kryesisht njerëz me kontribute politike në PD. Disa edhe me histori si z. Lita dhe Myslym Murrizi dhe Alban Zeneli, por edhe disa rishtarë të Lulzim Bashës, të cilët nuk zbatuan urdhrin e tij, por hynë në Parlament.
Gjithçka pritet, që të qartësohet me emrin, logon dhe çdo gjë tjetër në muajt Shtator-Tetor, me fillimin e sezonit të ri parlamentar, ku dhe skena politike do të ketë një parti të re.
Ende nuk dihet nëse do t’i ndjekë apo do të bashkohet me forcën e re politike, Rudina Hajdari, por mesa duket ajo po qëndron më shumë e tërhequr, më shumë e pavarur dhe duke pritur këshillat e ndërkombëtarëve për të vepruar më tej, për t’u bashkuar me ndonjë nga forcat e reja politike apo për të ecur dhe vetë drejt ndonjë force tjetër me tjetër vizion në skenën politike shqiptare./CNA.al