Policia është hallka kryesore, e cila i jep drejtim një aksidenti me mjet motorik. Forcat blu shkojnë në terren dhe përballen të parat me situatën. Por pavërësisht kësaj, puna që bëjnë jo gjithnjë është profesionale dhe korrekte (pa dashur të përgjithësoj) dhe kjo shihet sa i përket “faturës” që kalojnë si pa të keq tek kompanitë e sigurimit apo Byroja Shqiptare e Sigurimeve.
Kështu, në shumë raste, në procesverbalin e konstatimit të shkeljes, nuk shënohen të dhëna të plota të verifikueshme për shkaktarët e aksidentit, nuk bashkëlidhen kartat e identitetit apo mangësi të tjera në dokumentacionin e dëmit. Edhe drejtimi që i bëhet shtetasve të përfshirë në aksident shpeshherë është i gabuar, duke sjellë paqartësi në procedurat e dëmshpërblimit, duke bërë që Byroja Shqiptare e Sigurimeve të paguajë dëme të panevojshme.
Dhe kjo për disa arsye të thjeshta, pasi këto mjete motorrike mund të rezultojnë të siguruara me policë sigurimi për përgjegjësinë ndaj palëve të treta, e në këtë mënyrë Byroja nuk do të legjitimohej pasivisht në shpërblimin e dëmit, por detyrimi do të mbulohej eventualisht nga shoqëria e sigurimit mbuluese e mjetit shkaktar të dëmit. E kjo është edhe rruga më e arsyeshme dhe e ligjshme në fakt.
Referuar të dhënave të Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, në disa dosje dëmi, mjeti i paidentifikuar ka rezultuar si “shkaktar” pas ekspertimit të parë autoteknik të hartuar gjatë hetimeve penale. Pra, në fazën e parë faji ka rezultuar i njërit prej mjeteve të përfshira në aksident, e më pas është përmendur një mjet i paidentifikuar, duke e drejtuar kështu kërkimin e dëmit drejtë Byrosë.
Në ndryshimet e aktit, nuk përjashtohen as rastet korruptive.
Të tilla raste janë të pafundme dhe gjetja e së drejtës është një rrugë e gjatë dhe plot burokraci. Ndërsa ndaj policisë nuk ka asnjë hallkë monitoruese për t’u siguruar që secili të marrë apo të paguajë atë që meriton.
E ndërsa rastet e aksidenteve me pasoja të rënda, shëndetësore dhe pasurore të personave të përfshirë në to, kanë shënuar rritje këtë sezon veror, nevojitet që të gjitha hallkat dhe institucionet ligjzbatuese, vecanërisht Policia e Shtetit, ti kryejnë me përgjegjësi detyrat e tyre, proceduriale, informuese dhe ndërgjegjësuese ndaj drejtuesve të mjeteve motorrike, / Anisa.B