Një 62-vjeçar ka vendosur t’i japë fund jetës, duke u vetëvrarë me armë zjarri në fshatin e tij të lindjes.
Merdar Kërku, banues në fshatin Bicukas në Divjakë, është kthyer dy ditë më parë në vendlindjen e tij, në fshatin Kapinovë të Poliçanit dhe mëngjesin e sotëm ka qëlluar veten me armë zjarri në kasollen e vjetër pranë tokave të tij.
Babai i 3 fëmijëve është gjetur i vrarë nga komshinjtë e tij, të cilët pasi kanë dëgjuar të shtëna armësh janë afruar në banesën e vjetër të Kërkut dhe e kanë gjetur atë të shtrirë pa jetë dhe të mbuluar me gjak.
62-vjeçari është transportuar drejt morgut të Spitalit Rajonal të Beratit, ku po i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore, ndërkohë që janë njoftuar edhe familjarët e viktimës të cilët jetojnë në Divjakë të Lushnjes.
Ende nuk dihen shkaqet që e çuan 62-vjeçarin drejt aktit të vetëflijimit, ndërkohë që policia deklaron po vijon hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.