Vendimi i Gjykatës së Tiranës për të njohur mandatin e Rakip Sulit në krye të bashkisë Kamzë ka sjellë reagimin e ashpër të kryebashkiakut aktual të këtij qyteti.
Xhelal Mziu përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan e ky është një vendim i diktuar nga kryeministri Rama dhe gjyqtarja që mori vendimin, vetëm sa zbatoi urdhrin e tij.
Ai e cilëson atë si një gjyqtare kamikaze, e cila këtë vendim nuk e ka marrë mbi bazën e provave.
Reagimi i plotë i Xhelal Mziut
Vendimi i Gjykatës së Tiranës, noterizim i paligjshmërisë nga një gjyqtare e paracaktuar
Drejtësia është vënë në tutelën e Rilindjes, është bërë palë me krimin që e mban në këmbë këtë pushtet dhe ka legjitimuar të paligjshme në procesin farsë të votimeve të 30 qershorit, duke na kthyer pas në diktaturë.
Vendimi i sotëm i Gjykatës së Tiranës duke mos pranuar padinë e një kryebashkiaku në detyrë, të vetmit të ligjshëm deri sa të ketë zgjedhje, ishte noterizim i skandalit të deritanishëm të maskaradës zgjedhore nga KZAZ, KQZ deri në Kolegjin Zgjedhor, në votimet moniste të 30 qershorit, në të cilat u shkel çdo lloj standardi.
Gjyqtarja sot mbylli sytë qëllimshëm, ose zbatoi urdhrat nga lart, para një maskarade ku dhe juristi më i thjeshtë do të reflektonte dhe nuk do mund të çertifikonte dhe hapte rrugë një procesi antikushtetues, aq më tepër për të mos pranuar një padi. Ky ndodh vetëm me një drejtësi të kapur dhe në shërbim, pasi pranimi i padisë duhet të ndodh edhe për çdo qytetar që shkon në dyert e drejtësisë.
Gjyqtarja kamikazë, e paracaktuar, sepse ajo u zgjodh manualisht dhe jo nga shorti elektronik, rrëzoi padinë e kryebashkikut të Kamzës për zgjedhjet e 30 qershorit, pa asnjë argument bindës. Ajo nuk zbatoi ligjin, por urdhërat që i kanë dhënë.
Qytetarët e Kamzës nuk do të pranojnë që të drejtohen nga një i zgjedhur me 9 %. Bashkia dhe kryebashkiaku do të vazhdojë punën deri kur në këtë vend të ketë zgjedhje legjitime, të dekretuara nga Presidenti i Republikës, të ketë garë, të jenë të lira dhe të ndershme si dhe të pranohen nga faktori ndërkombëtar si arbitri i vetëm për standardet e plotësuara