Dihet tashmë që në PS ata që korrin më shumë sukses dhe që promovohen më shumë janë ata që lavdërojnë në qiell Edi Ramën dhe që mundohen ta imitojnë atë në çdo detaj. Për këtë nuk ka nevojë për shumë shembuj, por vetëm Elisa Spiropali që pasi e ngjiti Ramën në nivelin e Skënderbeut ia doli që të bëhet ministre.
Duke u nisur nga ky shembull frymëzues, kryebashkiaku i Tepelenës, Tërmet Peçi ka vendosur ta imitojë Ramën tek një pikë, që ai e ka shumë përzemërt kohët e fundit dhe nuk ka bërë kompromise. Atletet e bardha, me të cilat Rama tërhoqi vëmendjen e medieve botërore në takime të nivelit të lartë të Europë, janë kopjuar nga Tërmet Peçi në takimin e socialistëve të para pak ditëve.
Ishte Asambleja Kombëtare e PS, ku Peçi i veshur në stilin e tij, kishte vendosur të eksperimentonte pak me këpucën, për të tërhequr vëmendjen e shefit të tij, që në zgjedhjet e 30 qershorit ia besoi edhe një herë tjetër bashkinë e Tepelenës. Peçi në fakt kishte tentuar t’ia rrëmbente zemrën Ramës edhe më herët me muralen e tij si basketbollist në palestrën e Tepelenës, por nuk është se pati aq shumë sukses. Tashmë mbetet për tu parë nëse do të ketë sukses kjo tentativë e dytë e Tërmet Peçit dhe ku do katapultohet në pushtetin e gjerë të kontrolluar nga Rama.