Dënimi i Skënderbeut që u konfirmua edhe nga CAS vijon të jetë tema kryesore e diskutimit në mediet sportive shqiptare.
Këtë herë ka qenë vetë presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj që ka folur për këtë situatë.
Takaj duke folur për disa ngjarje që kanë ndodhur gjatë, para dhe pas gjyqit tregon edhe një moment kur i është propozuar që të pranonte në tavolinë 5 vite pezullim dhe një gjobë prej 250 mijë eurosh.
“Në fund të janarit kam shkuar për të takuar shefin e Disiplinës në UEFA, zotin Garcia. Pasi më ka komunikuar të gjithë dënimin e Skënderbeut, më tha se kishte një propozim për ne: 5 vjet përjashtim dhe 250 mijë euro gjobë. Këtë unë e kisha dëgjuar edhe më herët nga Tavo në Tiranë. Për momentin shtanga sepse nuk e prisja. Në kafet e Tiranës ziente dënimi i Skënderbeut, ndërsa ne të zotët e kësaj pune, në kurrizin tonë, luhej e gjithë kjo lojë, nuk kishim asnjë informacion. I thash: si ka mundësi zotëri që këtë propozim që më bëni ju unë e kam dëgjuar në kafet e Tiranës 3 javë më parë.”- u shpreh presidenti i Skënderbeut.
Më tej Takaj ka hedhur akuza shumë të forta në drejtim të federatës spanjolle të futbollit, atje ku punon edhe shqiptari Eduard Dervishi. Për këtë të fundit, Takaj tha se nuk ka pasur asnjëherë ndonjë konflikt personal.
“Nuk më dha përgjigje, por më ra krahëve dhe më tha ke të fala nga zoti Dervishi. Kjo na bëri shumë që të dyshojmë, por nuk është vetëm kjo. Në UEFA na dënon i njëjti person, shkojmë në Apel dhe na qëllon sërish relatori spanjoll. Ne e kemi kundërshtuar këtë kryetarin e seancës dhe u bë zëvendësimi, u la ky anëtar dhe kryetar u bë një turk. Por zhvillimet vazhduan edhe më tej.”
“Në CAS, si rregull një gjyqtar e zgjedhim ne një CAS dhe një UEFA. Çudia më e madhe ishte përsëri spanjoll. Tani, ne e kemi gjyqin me UEFA-n apo me një grup të vogël spanjoll që është në këtë federatë dhe nuk e di për çfarë interesash punon. Nuk na ka dënuar UEFA, por persona të veçantë. Me zotin Dervishi nuk kam pasur ndonjëherë konflikt”, tha Takaj.