Qeveria ka miratuar një akt normativ që parashikon kompensimin nga shteti të dëmeve materiale të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve dhe protestave. Sipas vendimit, kompensimi mund të jetë i plotë ose i pjesshëm dhe do të përfitojnë individët, si dhe bizneset me aktivitet tregtar me xhiro vjetore nën 14 milionë lekë. Akti normativ, i përbërë nga 16 nene, parashikon që kompensimi të jepet vetëm për pasuritë e pasiguruara. Në rastet kur prona është e siguruar, dëmi do të mbulohet nga kompania e sigurimit, sipas kontratës përkatëse. Ndërsa kur sigurimi nuk mbulon plotësisht dëmin, pjesa e pambuluar mund të kompensohet nga shteti.
Një nga elementet kryesore të aktit është përgjegjësia financiare e personave që shkaktojnë dëmet. Pas kryerjes së kompensimit, shteti do të ketë të drejtën të kërkojë rikuperimin e shumave të paguara nga autorët e dhunës, përmes Avokaturës së Shtetit. Nëse përgjegjësit nuk e shlyejnë detyrimin brenda 30 ditëve, mund të ngrihet padi për rikuperimin e dëmit.
Akti parashikon gjithashtu përgjegjësi solidare për organizatorët ose drejtuesit e tubimeve, në rastet kur provohet se aktet e dhunës janë nxitur prej tyre dhe se kanë pasur mundësi t’i parandalojnë.
Për shlyerjen e detyrimeve, Avokatura e Shtetit mund të lidhë edhe marrëveshje me personat përgjegjës, duke u mundësuar kompensimin e dëmit përmes punës në interes publik, me pëlqimin e tyre. Në aktin normativ theksohet se askush nuk mban përgjegjësi vetëm për faktin se ka marrë pjesë në një tubim. Përgjegjësia lind nga veprimet ose mosveprimet konkrete që kanë shkaktuar dëmin, ndërsa zbatimi i tij nuk cenon lirinë e tubimit paqësor.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Ndërkohë, qeveria do të përcaktojë me vendime të posaçme kriteret, kushtet dhe procedurat e kompensimit për çdo rast.







