Shqiptarët dhe kosovarët do të vijojnë të kenë mundësi punësimi në Zvicër edhe gjatë vitit 2027, pasi qeveria zvicerane ka vendosur të ruajë kuotën prej 8,500 lejesh pune dhe qëndrimi për shtetasit e vendeve jashtë Bashkimit Evropian dhe Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA). Vendimi është marrë nga Këshilli Federal i Zvicrës në mbledhjen e 25 nëntorit, duke mbajtur të pandryshuara kuotat për punonjësit e huaj të kualifikuar dhe specialistët. Synimi është që kompanitë zvicerane të vijojnë të kenë akses në fuqinë punëtore që u nevojitet për aktivitetin e tyre.
Nga 8,500 lejet e parashikuara për shtetasit e vendeve të treta, 4,500 do të jenë leje qëndrimi të tipit B, ndërsa 4,000 leje afatshkurtra të tipit L. Rregullorja e re do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027. Megjithatë, punësimi nuk është automatik. Kompanitë zvicerane duhet të provojnë se kanë kërkuar fillimisht punonjës të përshtatshëm në tregun vendas dhe në vendet e BE-së dhe EFTA-s, por nuk kanë arritur të plotësojnë vendet e lira të punës.
Të dhënat tregojnë se kuotat e disponueshme nuk janë shfrytëzuar plotësisht gjatë viteve të fundit. Në vitin 2025, kompanitë përdorën vetëm 69% të lejeve për punonjësit nga vendet e treta, krahasuar me 74% në vitin 2024. Ndërsa deri në fund të shtatorit 2026, kantonet kishin shfrytëzuar rreth 50% të kuotës vjetore.
Përveç lejeve për shtetasit e vendeve të treta, Zvicra do të ruajë edhe kuotën prej 3,500 lejesh për punonjësit britanikë dhe 3,500 lejesh për ofruesit e shërbimeve nga vendet e BE-së dhe EFTA-s, të cilët angazhohen në territorin zviceran për më shumë se 120 ditë në vit.
Vendimi vjen në një kohë kur tregu zviceran i punës po shfaq shenja ngadalësimi. Në shtator 2026, norma e papunësisë arriti në 3%, me një rritje prej 0.2 pikësh përqindjeje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas Këshillit Federal, ruajtja e kuotave aktuale u jep kompanive më shumë siguri në planifikimin e rekrutimeve, duke marrë parasysh zhvillimet ekonomike, situatën gjeopolitike dhe nevojat e tregut të punës. Për shqiptarët dhe kosovarët që synojnë të punësohen në Zvicër, vendimi ruan mundësitë ekzistuese edhe për vitin e ardhshëm. Megjithatë, 8,500 lejet përbëjnë një kuotë të përbashkët për të gjitha vendet jashtë BE-së dhe EFTA-s dhe nuk janë të rezervuara posaçërisht për Shqipërinë apo Kosovën.







