Përmbushja e reformave është kushti kryesor për tërheqjen e investimeve dhe rritjen e prosperitetit ekonomik në Shqipëri. Mesazhi u përcoll nga Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë fjalës së saj në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian.
Ajo theksoi se përparimi në procesin e integrimit europian duhet të shoqërohet me reforma konkrete, të cilat do të krijojnë kushtet për më shumë investime dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. “Begatia e Shqipërisë është e mundur. Së pari duhet të kryhen reformat dhe më pas do të vijnë investimet. Kështu rritet begatia dhe përmirësohet cilësia e jetës”, deklaroi Kos.
Komisionerja europiane nënvizoi gjithashtu rëndësinë e transparencës dhe komunikimit gjatë procesit të integrimit, duke propozuar që në vizitën e saj të ardhshme në Shqipëri të organizohet një takim me përfaqësuesit e biznesit, për të diskutuar sfidat dhe perspektivën ekonomike të vendit. Një tjetër çështje e ngritur prej saj ishte perceptimi ndërkombëtar për Shqipërinë. Kos theksoi se ekzistojnë ende paragjykime ndaj vendit, të cilat kërkojnë një angazhim të përbashkët për t’u kapërcyer.
Në këtë kontekst, ajo ndau edhe një përvojë personale nga Shqipëria, duke zbuluar se kishte kaluar pushimet së bashku me bashkëshortin në Theth, ku kishin udhëtuar me makinë rreth 4 mijë kilometra. “Kam kaluar pushimet në Shqipëri së bashku me bashkëshortin. Kemi përshkuar 4 mijë kilometra me makinë, nga këtu deri në Theth. Nuk kam takuar njerëz kaq të mirë dhe nuk kam vizituar vende kaq të bukura”, u shpreh ajo.
Në përfundim, Kos nënvizoi se pavarësisht dallimeve në qëndrime dhe mendime, Shqipëria duhet të vijojë përpjekjet për përmbushjen e objektivave të integrimit europian.







