Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në seminarin e Këshillit të Përgjithshëm të Bankës Qendrore Evropiane, zhvilluar më 26 nëntor në Frankfurt, ku u diskutuan lidhjet ekonomike dhe financiare të vendeve kandidate me Bashkimin Evropian dhe zonën e euros. Në takim morën pjesë guvernatorë të bankave qendrore të vendeve anëtare të BE-së, vendeve kandidate dhe atyre potencialisht kandidate për anëtarësim. Diskutimet u përqendruan te ndikimi i goditjeve ekonomike, luhatjet e çmimeve të energjisë, pasiguritë gjeopolitike dhe zhvillimi i inteligjencës artificiale.
Gjatë fjalës së tij, Sejko prezantoi përvojën e Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e lidhjeve ekonomike dhe financiare me tregun evropian. Sipas tij, afro 75% e eksporteve shqiptare të mallrave orientohen drejt vendeve të BE-së, e cila mbetet gjithashtu burimi kryesor i investimeve të huaja direkte në vend. Ai nënvizoi edhe praninë e konsiderueshme të grupeve bankare evropiane në sistemin financiar shqiptar. Duke iu referuar përballimit të goditjeve të jashtme, Guvernatori theksoi se mbështetja te hidroenergjia për prodhimin vendas të energjisë elektrike dhe forcimi i Lekut kanë ndihmuar në zbutjen e ndikimit të krizës energjetike dhe kufizimin e inflacionit të importuar.
Sejko vlerësoi gjithashtu rolin e regjimit të lirë të kursit të këmbimit dhe kuadrit të shënjestrimit të inflacionit, të cilët i kanë dhënë Bankës së Shqipërisë hapësirën e nevojshme për të përshtatur politikën monetare me kushtet e ekonomisë vendase dhe për të ruajtur stabilitetin e çmimeve.
Një tjetër çështje e diskutuar në seminar ishte pavarësia e bankave qendrore, e konsideruar thelbësore për marrjen e vendimeve mbi bazën e analizave ekonomike dhe në përputhje me mandatet e tyre institucionale. Në kuadër të vizitës në Frankfurt, Sejko mori pjesë edhe në takimin e guvernatorëve të vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate me anëtarin e Bordit Ekzekutiv të BQE-së, Piero Cipollone. Në fokus ishin zhvillimet në sistemet e pagesave, përfshirë pagesat e menjëhershme (IPSA), Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), euron digjitale dhe nismat për shlyerjen e transaksioneve financiare me vlerë të madhe.







