Në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, kryeministri Edi Rama ka propozuar krijimin e një biblioteke dixhitale që do të përmbledhë pasurinë e gjuhës shqipe, nga materialet për mësimin dhe leximin e saj deri te veprat letrare. Gjatë një takimi të zhvilluar në Manastir me të rinj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Presheva, kreu i qeverisë vlerësoi rëndësinë e gjuhës shqipe si një element themelor të identitetit kombëtar, duke theksuar sakrificat e bëra ndër vite për ruajtjen dhe zhvillimin e saj.
Rama e cilësoi gjuhën shqipe si një pasuri që duhet kultivuar dhe pasuruar vazhdimisht, ndërsa nënvizoi se teknologjia krijon mundësi të reja për ta bërë këtë pasuri më të aksesueshme, veçanërisht për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
“Ne duhet të angazhohemi për të bërë një bibliotekë dixhitale, që nga leximi i shqipes deri te leximi i veprave. Një bibliotekë ku të jetë e kyçur pasuria e shqipes. Qeveria e Shqipërisë do ta marrë këtë hap. Teknologjia na jep një ndihmë të madhe”, u shpreh Rama.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri komentoi edhe klimën e debatit në shoqëri, duke iu referuar polarizimit dhe vështirësive për të shprehur mendimet në një mjedis ku, sipas tij, ekziston frika nga reagimet dhe kundërshtimet.
“Të marr duartrokitje nga më të rinjtë sot nuk është diçka që ndodh përditë. Ka të rinj që duartrokasin dhe nga ata që nuk duartrokasin. Të rinj që entuziasmohen dhe të rinj që hidhërohen”, deklaroi Rama.
Takimi në Manastir u zhvillua në kuadër të Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, një datë me rëndësi historike për kombin shqiptar, që përkujton Kongresin e Manastirit të vitit 1908, ku u vendos alfabeti i njësuar i gjuhës shqipe.








