Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian të përfshihen gradualisht në vendimmarrjen europiane, edhe përpara anëtarësimit të plotë. Gjatë pjesëmarrjes në Forumin e II-të të Zgjerimit të BE-së, që po zhvillohet në Bruksel, Rama u shpreh se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e tryezës europiane, ndërsa procesi i integrimit dhe përmbushja e kritereve të vijojnë sipas meritës.
Në panelin me temë “Arritjet e zgjerimit: Reforma, Investime dhe Rritje”, ku morën pjesë edhe kryeministrat e Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe Komisioneri Europian për Ekonominë, Valdis Dombrovskis, Rama mbështeti idenë e integrimit gradual, duke theksuar se Plani i Rritjes është një instrument që e reflekton këtë qasje.
Sipas tij, procesi i anëtarësimit i bazuar në meritë nuk duhet të ndryshojë, pasi ai është në interes të vetë vendeve kandidate dhe shërben si një mekanizëm për forcimin e institucioneve dhe përmirësimin e funksionimit të shtetit. Megjithatë, kryeministri theksoi se ajo që mungon është vullneti politik i Bashkimit Europian, duke argumentuar se vendimet e zgjerimit shpesh pengohen nga zhvillimet e brendshme politike në vendet anëtare.
“Është koha që Komisioni Europian, Këshilli dhe shtetet anëtare t’i sjellin të shtatë vendet rreth tryezës. Secili prej të shtatëve duhet të jetë absolutisht pjesë e tryezës, por secili mund të përfitojë nga tryeza pikërisht atë që thotë procesi i bazuar në meritë”, u shpreh Rama. Gjatë diskutimit, kryeministri u pyet edhe për ndikimin që protestat e muajve të fundit në Shqipëri mund të kenë pasur në imazhin e vendit dhe në procesin e integrimit europian. Rama i cilësoi ato si shprehje të një shoqërie që kërkon më shumë nga qeverisja dhe zhvillimi ekonomik.
Ai theksoi se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë më shumë vëmendje dhe të ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën se si përfitojnë nga transformimi ekonomik i vendit, investimet dhe rritja ekonomike. Një tjetër çështje e ngritur nga Rama ishte marrëdhënia mes Serbisë dhe Kosovës. Duke komentuar interpretimin e një kënge me përmbajtje nacionaliste në prag të forumit, ai kërkoi që mesazhe të tilla të mos rikthejnë tensionet historike në rajon. Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve dhe njohja e Kosovës nga Serbia do të ishte në interes të të gjithë rajonit. Në përfundim, Rama nënvizoi se Shqipëria mbetet e angazhuar për integrimin europian dhe nuk kërkon alternativa ndaj Bashkimit Europian, duke deklaruar se vendi synon të bëhet pjesë e tij, pavarësisht vështirësive dhe kohëzgjatjes së procesit.







