Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) ka arkëtuar rreth 225 milionë lekë nga dhënia me qira e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara gjatë periudhës janar–tetor 2026. Të ardhurat kanë shënuar një rritje prej 25.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave financiare të Agjencisë, në dhjetë muajt e parë të këtij viti janë arkëtuar 224.9 milionë lekë, nga 179.7 milionë lekë në janar–tetor 2025. Në vlerë absolute, bëhet fjalë për 45.2 milionë lekë më shumë se një vit më parë. Ecuria mujore tregon se gjatë vitit 2026 të ardhurat nga qiradhënia kanë qenë më të larta se në vitin 2025 në nëntë nga dhjetë muajt e analizuar. Rritja më e fortë është regjistruar në muajin maj, kur arkëtimet arritën në 23.7 milionë lekë, nga 14.1 milionë lekë në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, me një rritje prej 67.6%.
Edhe gushti ka shënuar një performancë të konsiderueshme, me 29 milionë lekë të ardhura nga qiradhënia, kundrejt 19.1 milionë lekëve në gusht 2025. Mesatarisht, AAPSK ka arkëtuar rreth 22.5 milionë lekë në muaj gjatë periudhës janar–tetor 2026, nga rreth 18 milionë lekë në muaj një vit më parë.
Të ardhurat e siguruara nga administrimi dhe dhënia me qira e këtyre pasurive kanë rëndësi edhe për destinacionin e fondeve. Ato krijojnë mundësi për mbështetjen dhe fuqizimin e institucioneve ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar, si dhe për financimin e projekteve të ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara. Nëpërmjet këtyre projekteve, prona dhe asete që më parë kanë qenë të lidhura me veprimtari kriminale synohet të vihen në shërbim të komuniteteve, duke gjeneruar përfitime konkrete për interesin publik. Rezultatet e dhjetëmujorit tregojnë një rritje të të ardhurave nga shfrytëzimi ekonomik i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, të cilat përtej administrimit financiar mund të shndërrohen në burime për financimin e nismave me interes publik.






