Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ngre shqetësimin për ndikimin që protestat dhe tensionet politike në Shqipëri mund të kenë në klimën e investimeve dhe në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve. Në një reagim publik, AKB thekson se pasiguria politike dhe tensionet institucionale po ndikojnë në besimin e investitorëve kosovarë, një pjesë e të cilëve, sipas saj, po tregohen më të rezervuar dhe po ngadalësojnë vendimmarrjen për investime të reja në Shqipëri. Organizata nënvizon se, megjithëse protesta është një e drejtë demokratike, përplasjet politike nuk duhet të kthehen në pengesë për zhvillimin ekonomik, sigurinë e qytetarëve dhe funksionimin normal të bizneseve.
Sipas AKB-së, stabiliteti politik, siguria juridike dhe parashikueshmëria janë elemente thelbësore për tërheqjen e kapitalit dhe realizimin e investimeve afatgjata. Në këtë kontekst, ajo paralajmëron se Shqipëria rrezikon të humbasë ose të shtyjë investime nëse klima politike vijon të mbetet e paqëndrueshme. Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, u bën thirrje forcave politike dhe institucioneve shqiptare që të tregojnë përgjegjësi dhe të zgjedhin dialogun, duke garantuar një mjedis të qëndrueshëm për sipërmarrjen.
“Kapitali nuk pret pafundësisht, ai shkon aty ku gjen siguri, stabilitet dhe perspektivë”, thekson Shahini. AKB vlerëson se marrëdhëniet ekonomike mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të forcohen dhe jo të pengohen nga pasiguria politike, duke kërkuar më shumë investime, prodhim, eksporte dhe punësim.






