Shqipëria renditet në vendin e 39-të mes 48 ekonomive europiane për Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) për frymë në vitin 2026, me një vlerë të parashikuar prej 13,968 dollarësh për banor. Të dhënat tregojnë se ekonomia shqiptare vijon të pozicionohet në pjesën e poshtme të renditjes europiane, ndërsa mbetet pas Serbisë dhe Malit të Zi, por para disa vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Sipas klasifikimit të publikuar nga Visual Capitalist, bazuar në projeksionet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Serbia renditet e 37-ta me 17,126 dollarë për frymë, ndërsa Mali i Zi në vendin e 38-të me 16,211 dollarë. Diferenca e Shqipërisë me këto dy vende është përkatësisht 3,158 dhe 2,243 dollarë për banor. Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut pozicionohet e 41-ta me 11,762 dollarë, Bosnjë-Hercegovina e 43-ta me 10,845 dollarë dhe Kosova e 46-ta me 8,902 dollarë për frymë. Renditja përfshin 48 ekonomi europiane dhe bazohet në raportin World Economic Outlook të FMN-së, të përditësuar në tetor 2026. Shifrat përfaqësojnë projeksione për vitin 2026 dhe matin PBB-në nominale për frymë në dollarë amerikanë, me çmime korrente dhe sipas kursit të këmbimit të tregut.
Në krye të klasifikimit qëndron Lihtenshtajni me 230,417 dollarë për frymë, i ndjekur nga Luksemburgu me 155,733 dollarë. Gjashtë vende europiane pritet të kalojnë kufirin e 100 mijë dollarëve për banor, ku përfshihen edhe Irlanda me 127,837 dollarë, Zvicra me 124,478 dollarë, Norvegjia me 115,188 dollarë dhe Islanda me 107,464 dollarë. Ndërkohë, Gjermania, ekonomia më e madhe e Europës për nga prodhimi i përgjithshëm, renditet e 12-ta me 65,699 dollarë për frymë. Britania e Madhe pozicionohet e 14-ta me 61,108 dollarë, ndërsa Franca e 18-ta me 51,448 dollarë. Në fund të listës ndodhet Ukraina me 7,075 dollarë për frymë. Një PBB e lartë për frymë nuk nënkupton automatikisht të ardhura dhe mirëqenie më të lartë për të gjithë qytetarët. Në ekonomitë e vogla si Luksemburgu dhe Lihtenshtajni, treguesi ndikohet edhe nga numri i madh i punonjësve që jetojnë në vendet fqinje, por punojnë brenda kufijve të tyre. Kontributi i këtyre punonjësve llogaritet në prodhimin ekonomik të vendit ku ushtrojnë aktivitetin, ndërsa ata nuk përfshihen në popullsinë rezidente mbi të cilën llogaritet PBB-ja për frymë. Një tjetër rast specifik është Irlanda, ku PBB-ja për frymë ndikohet ndjeshëm nga aktiviteti i kompanive shumëkombëshe, përfshirë pronësinë intelektuale dhe qiradhënien e avionëve. Për të pasqyruar më mirë të ardhurat që lidhen me ekonominë vendase, Irlanda përdor edhe treguesin e të ardhurave kombëtare bruto të modifikuara, i cili eliminon disa prej shtrembërimeve që krijon aktiviteti i kompanive ndërkombëtare.
Për më tepër, PBB-ja nominale për frymë nuk merr parasysh ndryshimet në koston e jetesës mes vendeve. Një shumë e njëjtë parash mund të sigurojë nivele të ndryshme konsumi në varësi të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve. Për këtë arsye, në krahasimet ndërkombëtare përdoret edhe PBB-ja për frymë e përshtatur sipas paritetit të fuqisë blerëse (PPP), e cila reflekton më mirë ndryshimet në fuqinë blerëse të popullsisë. Kështu, renditja e vitit 2026 tregon diferencat në prodhimin ekonomik nominal për banor, por nuk përbën një matës të drejtpërdrejtë të të ardhurave apo standardit të jetesës së familjeve.







