Hekurudha që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën do t’i nënshtrohet një tjetër studimi fizibiliteti. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, njoftoi një ditë më parë se do të nisë kryerja e një studimi të plotë për lidhjen hekurudhore Durrës – Kosovë, ndërkohë që një studim i mëparshëm ka vlerësuar tashmë segmentin Shkodër – Gjakovë.
Sipas ministrit, pala kosovare kërkon që linja të zgjatet deri në kufirin me Serbinë. Paralelisht, synohet përfshirja e saj në rrjetet europiane të transportit, për t’i hapur rrugë financimit nga Bashkimi Evropian dhe institucionet e tjera financiare. Karakaçi bëri me dije gjithashtu se Agjencia Franceze e Zhvillimit, AFD ka shprehur dakordësinë për të financuar studimin e plotë të fizibilitetit.
Në vlerësimin e mëparshëm, konsulentët e kontraktuar nga Hekurudha Shqiptare arritën në përfundimin se projekti ishte teknikisht i realizueshëm dhe ekonomikisht i qëndrueshëm, duke u rekomanduar institucioneve kalimin në fazën tjetër.
Ai përqendrohej te ndërtimi i një linje të re nga Shkodra në Gjakovë, ndërsa për lidhjen nga Durrësi deri në Shkodër parashikohej përdorimi i gjurmës së linjës Vorë – Hani i Hotit.
Segmenti Shkodër – Gjakovë ishte parashikuar me gjatësi 105.8 km dhe 7 stacione. Terreni kërkonte ndërtimin e 43 urave dhe 14 tuneleve, me një gjatësi të përgjithshme tunelesh prej 35.3 km. Kostoja për këtë segment përllogaritej në rreth 1.8 mld euro, nga të cilat afërsisht 1.7 mld euro për ndërtimin, ndërsa pjesa tjetër për leje, shpronësime dhe zëra të tjerë të projektit.
Ndërkaq, studimi i plotë i paralajmëruar nga Karakaçi pritet të qartësojë përmasat dhe kostot e lidhjes së zgjeruar, ndërsa sigurimi i financimit mbetet hapi vendimtar për kalimin nga studimet te ndërtimi./ Scan Tv






