Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit synon të zgjerojë skemat e mbështetjes për strehimin, duke krijuar instrumente të reja financiare për studentët, çiftet e reja, familjet dhe profesionistët. Ministrja Delina Ibrahimaj prezantoi në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për strehimin social”. Ndryshimet e propozuara parashikojnë kredi për blerjen e banesave me interes zero, mekanizma garancie për financimin e parapagimit, subvencionim të qirasë për studentët dhe profesionistët, si dhe një program të ri të qirasë me të drejtë blerjeje.
Duke shpjeguar skemën e kredive pa interes, Ibrahimaj solli shembullin e një kredie prej 6 milionë lekësh me afat shlyerjeje 30-vjeçar. Sipas saj, kësti mujor do të ishte rreth 17 mijë lekë, nga 32 mijë lekë që do të ishte me një interes prej 5%. Sipas ministres, kjo do të krijonte një kursim prej rreth 15 mijë lekësh në muaj për buxhetin e familjeve përfituese. Një tjetër masë parashikon subvencionimin e 50% të qirasë për studentët që ndjekin studimet në nivelin master dhe për profesionistët, sipas çmimeve të miratuara nga këshillat bashkiakë. Ndërkohë, programi i qirasë me të drejtë blerjeje do t’u mundësojë familjeve që një pjesë e pagesave mujore të qirasë të llogaritet në uljen e çmimit të blerjes së banesës.
Projektligji parashikon gjithashtu krijimin e Fondit për Strehimin dhe Kohezionin Social, ku do të bashkohen burime nga buxheti i shtetit, sektori privat dhe të ardhura të tjera të ligjshme. Ky fond synon të financojë programet e strehimit dhe të mundësojë riinvestimin e të ardhurave nga projektet e banimit në programe të reja. Një tjetër risi është modeli 30-40-30 për ndërtimin e lagjeve të integruara. Sipas kësaj skeme, 30% e banesave do të dedikohen për strehimin social, 40% për strehimin e përballueshëm dhe 30% do të jenë për shitje ose qira në tregun e lirë.
Duke iu referuar rezultateve të zbatimit të ligjit për strehimin social që prej vitit 2018, ministrja bëri të ditur se nga programet ekzistuese kanë përfituar 31 mijë familje, ose rreth 100 mijë qytetarë. Mbi 14 mijë familje janë mbështetur për pagesën e qirasë, mbi 7 mijë kanë përfituar kredi të buta, janë ndërtuar mbi 1 mijë banesa sociale dhe janë përmirësuar kushtet e banimit për më shumë se 6 mijë familje. Sipas Ibrahimajt, ndryshimet synojnë të zgjerojnë mundësitë e strehimit dhe të krijojnë më shumë alternativa për familjet e reja dhe profesionistët, duke i nxitur ata të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.







