Ekonomia shqiptare ka ruajtur ritme të qëndrueshme rritjeje gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, por paralelisht janë shtuar pasiguritë që vijnë si nga zhvillimet e brendshme, ashtu edhe nga ato ndërkombëtare. Ky është vlerësimi i Bankës së Shqipërisë në Raportin e Politikës Monetare për tremujorin e katërt të vitit 2026.
Sipas zëvendësdrejtores së Politikës Monetare, Rajna Hoxholli, aktiviteti ekonomik u rrit me rreth 3.6-3.7% në gjysmën e parë të vitit, ndërsa të dhënat paraprake tregojnë se ecuria pozitive ka vijuar edhe gjatë tremujorit të tretë. Konsumi privat, investimet dhe eksportet kanë qenë kontribuuesit kryesorë në këtë zgjerim.
“Mbështetja kryesore në rritje ka ardhur nga kërkesa e brendshme, me konsumin privat, i cili ka përfituar nga rritja e punësimit dhe pagave, ndërkohë që rritja e investimeve është mbështetur ndër të tjera nga normat e ulëta të interesit dhe nga rritja e kreditimit. Ndërkohë kemi pasur një kontribut pozitiv dhe nga eksportet, këtë herë si nga shërbimet, eksportet e turizmit, ashtu edhe nga mallrat”, tha ajo.
Inflacioni arrin në 3.4% në tetor
Pavarësisht ecurisë pozitive të aktivitetit ekonomik, zhvillimet në çmime mbeten një nga shqetësimet kryesore. Inflacioni arriti në 3.2% gjatë tremujorit të tretë, për t’u rritur më tej në 3.4% në muajin tetor.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo ecuri lidhet kryesisht me shtrenjtimin e produkteve të importuara dhe shtimin e presioneve inflacioniste nga jashtë. Në kahun e kundërt ka ndikuar ngadalësimi i rritjes së çmimeve të qirave, ndërsa presionet e brendshme mbi çmimet vlerësohen ende të kontrolluara.
“Pra, në tërësi, qasja ka qenë një qasje e kujdesshme që ka balancuar si ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, ashtu edhe mbështetjen e aktivitetit ekonomik, dhe mendoj që është një qasje që duhet të mbetet e tillë edhe në të ardhmen”, u shpreh Hoxholli.
Në këtë situatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se, ndonëse ekonomia vijon të shfaqë qëndrueshmëri, zhvillimet e ardhshme kërkojnë vëmendje të shtuar, veçanërisht përballë pasigurive ndërkombëtare dhe presioneve të importuara mbi çmimet.






