Shqiptarët po preferojnë gjithmonë e më shumë makinat elektrike. Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se numri i mjeteve elektrike të zhdoganuara në 10 muajt e parë të këtij viti është rritur me 93%.
Në këtë periudhë janë regjistruar 8 mijë e 891 mjete plotësisht elektrike, duke shënuar një rritje prej 93% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Sipas DPSHTRR-së, përdorimi i këtyre automjeteve përkthehet edhe në përfitime mjedisore, me një reduktim të përllogaritur prej mbi 11.7 milionë kilogramësh dioksid karboni në vit.
Regjistrimi i mjeteve të reja dhe rinovimi i flotës së automjeteve ka shënuar rritje gjatë periudhës janar-tetor 2026. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, në vend janë regjistruar për herë të parë 81 mijë e 761 mjete, ku pjesën më të madhe e zënë autoveturat me rreth 79.3% të totalit..
Të dhënat tregojnë gjithashtu një prirje drejt mjeteve më të reja. Në periudhën janar-tetor janë regjistruar mbi 21 mijë e 500 automjete të moshës nga zero deri në katër vjeç, ose 31% më shumë se një vit më parë. Ndërkohë, 83.3% e autoveturave të regjistruara plotësojnë standardin mjedisor Euro 5 e lart.
Edhe tek automjetet me zero kilometër vihet re një orientim drejt teknologjive alternative, pasi 73.1% e tyre janë elektrike, hibride ose Plug-in Hybrid.
Paralelisht me regjistrimet e reja, vijon edhe largimi nga qarkullimi i mjeteve të vjetra. Gjatë kësaj periudhe janë çregjistruar përfundimisht 8 mijë e 570 mjete, me një moshë mesatare prej 22 vitesh. Ky tregues është rritur me 21.2% krahasuar me vitin 2025.
Sa i përket origjinës së automjeteve të regjistruara, kryeson Koreja e Jugut me 26.3% e ndjekur nga Kina me 16.2%. Në vendet kryesore të origjinës renditen gjithashtu Gjermania me 12%, Italia me 11.4% dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 8.1% ndëra Zvicra përfaqëson 6.9% të totalit.
Shifrat e dhjetëmujorit pasqyrojnë një tendencë në rritje të regjistrimeve të automjeteve të reja, zgjerimin e flotës elektrike dhe largimin gradual të mjeteve të vjetra nga qarkullimi.







