Shqipëria e ka mbyllur tremujorin e tretë të vitit 2026 me më shumë lindje sesa vdekje, por bilanci pozitiv demografik vijon të mbështetet kryesisht te Tirana. Ndërsa kryeqyteti regjistron një shtesë të konsiderueshme natyrore, 11 qarqet e tjera, të marra së bashku, rezultojnë me më shumë vdekje sesa lindje.
Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë periudhës korrik-shtator në vend u regjistruan 5,787 lindje dhe 5,045 vdekje, duke rezultuar në një shtesë natyrore prej 742 personash. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit, lindjet u rritën me 13.9%, ndërsa vdekjet me 3.7%. Megjithatë, krahasimi me të njëjtën periudhë të vitit 2025 tregon një situatë më shqetësuese. Lindjet kanë rënë me 10.5%, ndërsa vdekjet janë rritur me 0.4%.
Për pasojë, shtesa natyrore e popullsisë është përgjysmuar, nga 1,441 persona në tremujorin e tretë të vitit të kaluar në vetëm 742 persona këtë vit, një rënie prej rreth 48.5%. Pabarazitë demografike janë veçanërisht të dukshme në nivel territorial. Nga 12 qarqet e vendit, vetëm pesë kanë regjistruar shtesë natyrore pozitive, ndërsa shtatë të tjerat kanë shënuar më shumë vdekje sesa lindje.
Tirana kryeson me një bilanc pozitiv prej 1,380 personash, ndërsa Korça regjistron situatën më negative, me 220 vdekje më shumë se lindje. Në kryeqytet u regjistruan 2,708 lindje, ose rreth 46.8% e totalit kombëtar. Megjithatë, edhe Tirana nuk i ka shpëtuar tendencës rënëse, pasi lindjet kanë shënuar një tkurrje prej 12.1% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2025. Në anën tjetër, Gjirokastra regjistroi vetëm 66 lindje gjatë kësaj periudhe.
Rënia e lindjeve është e përhapur në pjesën më të madhe të vendit. Dhjetë qarqe kanë regjistruar më pak lindje krahasuar me një vit më parë dhe vetëm dy prej tyre kanë shënuar rritje. Dibra kryeson për rritjen, me 3.9%, ndërsa Fieri ka regjistruar tkurrjen më të fortë, me 20.1%. Të dhënat e fundit konfirmojnë sfidat demografike me të cilat përballet vendi, ku rënia e lindjeve, përqendrimi i popullsisë në Tiranë dhe bilancet natyrore negative në shumicën e qarqeve mbeten tendenca dominuese.






