Qeveria ka propozuar ndryshime në ligjin “Për qeverisjen elektronike”, me synimin për të zgjeruar aksesin në informacionin publik, rritur transparencën dhe lehtësuar ndërveprimin e qytetarëve dhe bizneseve me institucionet shtetërore. Përmes projektligjit të depozituar në Kuvend, parashikohet krijimi i platformës kombëtare “Pasqyra Albania”, e cila do të shërbejë si një mekanizëm për transparencën dhe komunikimin me qytetarët.
Sipas projektligjit, platforma do të mundësojë aksesin në informacionin dhe dokumentacionin publik të autoriteteve, publikimin e dokumenteve përkatëse dhe ndjekjen e ecurisë së projekteve publike. Një tjetër funksionalitet i parashikuar është gjurmimi i kërkesave dhe ankesave të qytetarëve dhe subjekteve private, në përputhje me afatet e përcaktuara në legjislacionin përkatës. Zhvillimi dhe mirëmbajtja e platformës do të kryhet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), drejtpërdrejt ose nëpërmjet shoqërive operatore të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
Ndryshimet e propozuara parashikojnë gjithashtu zgjerimin e aksesit të personave fizikë dhe juridikë privatë në të dhënat e bazave shtetërore të të dhënave, përmes shërbimeve elektronike dhe platformës qeveritare të ndërveprimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Projektligji përfshin edhe infrastrukturën virtuale dhe shërbimet cloud computing në përkufizimin e infrastrukturës së qeverisjes elektronike. Këto shërbime do të jenë pjesë e Qendrës së të Dhënave Qeveritare dhe Qendrës së Vazhdueshmërisë së Punës, të administruara nga AKSHI. Pas miratimit të ligjit, Këshilli i Ministrave do të ketë një afat prej tre muajsh për të plotësuar aktet përkatëse nënligjore.






