Mbi 223 mijë individë dhe biznese kanë përfituar deri më tani nga zbatimi i Ligjit të Faljes, ndërsa detyrimet tatimore të fshira ose të shuara kanë kaluar vlerën 465 milionë euro. Sipas të dhënave të administratës tatimore, numri i përfituesve ka arritur në 223,923, ndërsa vlera e detyrimeve të lehtësuara është konkretisht 465.1 milionë euro. Procesi synon të reduktojë barrën financiare të krijuar nga detyrimet e papaguara dhe t’u japë tatimpaguesve mundësi për të përmirësuar situatën e tyre financiare. Pjesën më të madhe të detyrimeve të fshira e zë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, me rreth 145.1 milionë euro. Në vendin e dytë renditet tatimi mbi fitimin, me 141.8 milionë euro, ndërsa 73.8 milionë euro i përkasin kategorisë së detyrimeve të tjera.
Për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore janë fshirë ose shuar rreth 68.5 milionë euro detyrime. Lehtësime janë regjistruar gjithashtu për tatimin e mbajtur në burim, tatimin e thjeshtuar mbi fitimin dhe tatimin mbi të ardhurat individuale. Skema parashikon fshirjen e plotë të detyrimeve më të vjetra se 10 vite, ndërsa për detyrimet më të reja ofrohen mundësi për shlyerje të një pjese të principalit, me faljen e pjesës tjetër, si dhe të gjobave e kamatëvonesave, sipas kushteve të përcaktuara në ligj. Administrata Tatimore bën të ditur se procesi i përfitimit nga kjo skemë vijon, ndërsa Ligji i Faljes do të jetë në fuqi deri në fund të dhjetorit 2026.






