Stoku i detyrimeve të prapambetura të qeverisë dhe pushtetit vendor ndaj qytetarëve dhe bizneseve ka pësuar rënie gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, deri në shtator vlera totale e këtyre detyrimeve arriti në rreth 6.2 miliardë lekë, ose afro 67.7 milionë euro. Krahasuar me fundin e qershorit, kur detyrimet e prapambetura rezultonin në rreth 7.8 miliardë lekë, stoku është reduktuar me 1.6 miliardë lekë, ose rreth 17.5 milionë euro.
Në ndarjen sipas institucioneve, qeveria qendrore ka një stok detyrimesh prej 1.76 miliardë lekësh, ndërsa pushteti vendor rreth 3 miliardë lekë. Pjesa tjetër, prej 1.4 miliardë lekësh, lidhet me detyrimet për rimbursimin e TVSH-së.
Rënia më e ndjeshme është regjistruar në detyrimet e qeverisë qendrore, të cilat janë reduktuar me rreth 1.4 miliardë lekë në raport me fundin e qershorit. Ndërkohë, detyrimet e pushtetit vendor dhe ato për rimbursimin e TVSH-së kanë mbetur në nivele të ngjashme me tremujorin e mëparshëm. Sa i përket përbërjes së borxhit, një peshë të konsiderueshme zënë detyrimet për investime publike, të cilat arrijnë në rreth 1.7 miliardë lekë. Kjo kategori është më e përqendruar në pushtetin vendor.
Ndërkohë, kategoria e detyrimeve të tjera regjistron afro 1 miliard lekë, nga rreth 2.2 miliardë lekë që rezultonin në fund të qershorit. Një tjetër zë janë detyrimet që burojnë nga vendimet gjyqësore, përfshirë çështjet e largimeve të padrejta nga puna dhe ankimimet e bizneseve. Këto detyrime arritën në 826 milionë lekë, duke shënuar një rritje të lehtë krahasuar me fundin e tremujorit të dytë.
Stoku i detyrimeve të prapambetura vijon të pësojë luhatje nga një tremujor në tjetrin, në varësi të ecurisë së investimeve dhe angazhimeve financiare të institucioneve. Megjithatë, objektivi i qeverisë dhe pushtetit vendor mbetet shlyerja graduale e këtyre detyrimeve deri në eliminimin e plotë të tyre.






