Inflacioni në Shqipëri është përshpejtuar gjatë muajit tetor, duke kaluar sërish mbi objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë. Sipas të dhënave të INSTAT, norma vjetore e inflacionit arriti në 3.4%, nga 2.9% që ishte në shtator dhe 2.3% në tetor të vitit 2025. Edhe në krahasim me muajin e mëparshëm, çmimet e konsumit kanë vijuar rritjen, duke shënuar një shtesë prej 0.5%.
Ushqimet mbeten kontribuuesi kryesor në rritjen e inflacionit, duke zënë rreth 40% të normës së përgjithshme. Grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” dha një kontribut prej 1.36 pikë përqindje në inflacionin vjetor, nga 0.96 pikë përqindje në shtator. Në terma vjetorë, çmimet e ushqimeve u rritën me 4%.
Pas ushqimeve renditet transporti, me një kontribut prej 0.73 pikë përqindje, ndërsa grupi i banesës, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe karburanteve të tjera kontribuoi me 0.56 pikë përqindje. Të marra së bashku, këto tri kategori përbëjnë rreth 78% të inflacionit vjetor.
Ushqimet kanë ndikimin më të madh në inflacionin e përgjithshëm, transporti regjistroi shtrenjtimin më të lartë vjetor, me 11.4%. Megjithatë, ky ritëm është ngadalësuar krahasuar me shtatorin, kur rritja ishte 12.4%. Në bazë mujore, çmimet në këtë kategori shënuan një ulje prej 1.4%.
Rritje të ndjeshme vjetore u regjistrua edhe në grupin “Argëtim, sport dhe kulturë”, me 7.4%, ndërsa sigurimet dhe shërbimet financiare u shtrenjtuan me 4.4%. Për banesën dhe shërbimet e lidhura me të, rritja ishte 2.8%. Sa i përket ndryshimeve mujore, shtrenjtimi më i madh u regjistrua te veshjet dhe këpucët, me 1.5%, të ndjekura nga ushqimet dhe pijet joalkoolike, me 1.2%.
Në kahun tjetër, përveç transportit, ulje të çmimeve me 0.1% u regjistrua edhe në grupin e restoranteve dhe shërbimeve të akomodimit. Të dhënat e tetorit tregojnë se presionet mbi çmimet e konsumit mbeten të pranishme, me ushqimet që vijojnë të kenë peshën kryesore në shtrenjtimin e shportës së familjeve shqiptare.







