Modernizimi i sistemeve të pagesave po kthehet në një instrument të rëndësishëm për rritjen ekonomike dhe integrimin e Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor me tregun evropian. Sipas Bankës Botërore, reformat në këtë sektor po sjellin tashmë rezultate konkrete, veçanërisht në uljen e kostove të transfertave dhe zgjerimin e aksesit në pagesat digjitale.
Në Konferencën e 8-të Ndërkombëtare mbi Skemat Rajonale të Kartave dhe Infrastrukturën e Tregut Financiar për Pagesat me Vlerë të Vogël, të zhvilluar në Tiranë, vëmendja u përqendrua te mundësitë që ofrojnë sistemet moderne të pagesave për bizneset, familjet dhe ekonomitë e rajonit.
Xiaoqing Yu, Drejtore e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, theksoi se sfida tashmë nuk është vetëm ndërtimi i infrastrukturës moderne, por edhe garantimi i përdorimit të saj në shkallë të gjerë.
“Pagesat janë pjesë e një mjedisi që mundëson vende pune, investime dhe mundësi. Pagesat më të lira dhe më të shpejta mund t’i ndihmojnë bizneset të investojnë, të zgjerohen dhe të krijojnë vende pune”, u shpreh Yu.
Grupi i Bankës Botërore po punon me të gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor për harmonizimin e rregullave të pagesave dhe përafrimin e sistemeve me standardet e Bashkimit Evropian. Qëllimi është lehtësimi i transaksioneve ndërkufitare dhe forcimi i lidhjeve ekonomike me tregun evropian.
Një nga rezultatet më konkrete të këtij procesi është ulja me rreth 90% e kostove të transfertave nga biznesi te biznesi, pas integrimit në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) në ekonomitë pjesëmarrëse të rajonit.
Shqipëria drejt pagesave të menjëhershme
Pas integrimit në SEPA, një tjetër fazë e rëndësishme e transformimit të sistemeve financiare në rajon lidhet me zhvillimin e pagesave të menjëhershme.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po përgatiten të vënë në funksion sistemet e tyre, ndërsa Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi i kanë lançuar ato në korrik 2026. Kosova po përgatitet të ndjekë të njëjtën rrugë, ndërsa Serbia operon me një sistem të tillë që prej vitit 2018.
Këto sisteme mundësojnë kryerjen e pagesave brenda pak sekondash, 24 orë në ditë dhe 365 ditë në vit. Përtej transfertave të zakonshme, ato krijojnë mundësi për zhvillimin e shërbimeve të reja, si pagesat për tregtarët përmes kodeve QR dhe transfertat e bazuara në numrin e telefonit celular.
Për bizneset, kjo nënkupton më pak kohë pritjeje për marrjen e pagesave, përmirësim të menaxhimit të likuiditetit dhe ulje të kostove të transaksioneve. Për konsumatorët, përfitimet lidhen me shpejtësinë, aksesueshmërinë dhe lehtësinë e përdorimit të shërbimeve financiare.
Remitancat, potencial për kursime deri në 500 milionë dollarë në vit
Një tjetër fushë ku modernizimi i pagesave mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë është ajo e remitancave, të cilat përbëjnë një burim të rëndësishëm të ardhurash për familjet në Ballkanin Perëndimor.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, familjet në rajon morën 13.7 miliardë dollarë remitanca në vitin 2023, një shumë që përfaqësonte 8.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të rajonit.
Megjithatë, dërgimi i 200 dollarëve vazhdon të kushtojë mesatarisht rreth 8% të shumës. Nëse kjo kosto do të ulej në 3%, në përputhje me objektivin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, familjet e emigrantëve në rajon mund të kursenin deri në gjysmë miliardi dollarë në vit.
Kjo e bën uljen e kostove të transfertave ndërkufitare një çështje me rëndësi jo vetëm për sistemin financiar, por edhe për mirëqenien ekonomike të familjeve që mbështeten te të ardhurat nga emigracioni.
Siguria dhe besimi, sfidat e fazës së ardhshme
Megjithëse infrastruktura moderne krijon mundësi të reja, Banka Botërore vlerëson se përfitimet e saj duhet të shoqërohen me masa më të forta për sigurinë kibernetike, parandalimin e mashtrimeve dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Përdorimi më i gjerë i pagesave digjitale kërkon jo vetëm sisteme funksionale dhe të ndërlidhura, por edhe besimin e qytetarëve dhe bizneseve te këto instrumente.
Grupi i Bankës Botërore do të vijojë mbështetjen për qeveritë dhe bankat qendrore të Ballkanit Perëndimor përmes asistencës teknike, financimit dhe shkëmbimit të njohurive, me synimin për të përshpejtuar modernizimin dhe integrimin e sistemeve të pagesave.
Konferenca u organizua nga Shoqata Evropiane e Pagesave me Kartë dhe Grupi i Bankës Botërore, me Bankën e Shqipërisë si institucion pritës. Në të morën pjesë përfaqësues të bankave qendrore, operatorë të sistemeve të pagesave, politikëbërës dhe përfaqësues të industrisë financiare nga Ballkani Perëndimor, Evropa dhe më gjerë.
Banka Botërore, Business Mag






