Bonusi i Bebes pritet të pësojë ndryshime të rëndësishme nga viti 2027, duke u transformuar nga një pagesë e vetme në një mbështetje mujore për fëmijët deri në moshën 5 vjeç, që vijnë nga familje me të ardhura të pakta. Për këtë qëllim, në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm janë parashikuar 50 milionë euro, ndërsa skema e re pritet të nisë zbatimin më 1 korrik 2027.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, gjatë një aktiviteti në Korçë, ku u prezantua modeli i ri i përkujdesit për fëmijët. Sipas ministres, rishikimi i Bonusit të Bebes synon të krijojë një mbështetje më të vazhdueshme për familjet në nevojë, duke e shtrirë ndihmën financiare përgjatë viteve të para të jetës së fëmijës.
Paralelisht, projektbuxheti 2027 parashikon edhe 480 milionë lekë për Fondin Social, me qëllim mbështetjen e bashkive në ngritjen dhe zgjerimin e shërbimeve sociale në territor. Ndërsa për 28 institucionet e përkujdesit shoqëror është planifikuar një fond prej 1.4 miliardë lekësh.
Gjatë prezantimit, Spahiu u ndal edhe te ndryshimi i modelit të përkujdesit për fëmijët, duke theksuar se objektivi është kalimi gradual nga kujdesi institucional drejt shërbimeve të bazuara te familja dhe komuniteti. Ky transformim mbështetet te ligji i ri për kujdesin alternativ dhe Plani i Garancisë për Fëmijët 2026–2030, të cilët synojnë vendosjen e fëmijës dhe familjes në qendër të politikave sociale. Ministrja vlerësoi Korçën si një shembull të këtij modeli, duke theksuar bashkëpunimin me pushtetin vendor, Bashkimin Europian dhe UNICEF-in për shtrirjen e tij në të gjithë vendin.
https://www.facebook.com/reel/2037262413650312








