Shqipëria dhe Rumania synojnë të thellojnë bashkëpunimin ekonomik dhe të rrisin shkëmbimet tregtare, përmes një agjende të dedikuar biznesi për vitin 2027. Mundësitë për zgjerimin e partneritetit mes dy vendeve u diskutuan në Bukuresht, gjatë takimit të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, me ministrin rumun të Ekonomisë, Digjitalizimit, Sipërmarrjes dhe Turizmit, Daniel-Cătălin Zamfir.
Në qendër të diskutimeve ishte shfrytëzimi i potencialit ekonomik mes dy vendeve, veçanërisht në rritjen e tregtisë, tërheqjen e investimeve dhe forcimin e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë mes bizneseve.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se gjatë takimit u identifikuan mundësi bashkëpunimi në sektorët e teknologjisë së informacionit, shërbimeve digjitale, industrisë prodhuese dhe turizmit.
Sipas tij, marrëdhëniet e mira politike mes Shqipërisë dhe Rumanisë krijojnë një bazë të favorshme për ndërtimin e një partneriteti ekonomik më të fortë, por potenciali në këtë drejtim mbetet ende i pashfrytëzuar. Prioriteti, sipas ministrit, është që këto mundësi të përkthehen në rezultate konkrete, përmes një agjende të posaçme biznesi për vitin 2027, takimeve të drejtpërdrejta B2B dhe krijimit të partneriteteve që sjellin përfitime për të dyja ekonomitë.
Gjatë vizitës në Bukuresht, Hoxha zhvilloi gjithashtu takime me ministrin e Jashtëm të Rumanisë, Dan Neculăescu, dhe ministrin e Investimeve dhe Projekteve Evropiane, Alexandru-Mihai Ghigiu. Diskutimet u përqendruan në mbështetjen teknike që Rumania mund t’i ofrojë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.







