Trafiku ajror në Shqipëri pritet të vijojë rritjen edhe gjatë vitit 2026, me një zgjerim të parashikuar prej 18.3% krahasuar me një vit më parë. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se aeroporti i Rinasit pritet të përpunojë mbi 13.5 milionë pasagjerë deri në fund të vitit, ndërsa një prej operatorëve më të rëndësishëm low-cost ka njoftuar shtimin e linjave ajrore dhe zgjerimin e flotës.
Gjatë një vizite në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, Karakaçi e konsideroi zgjerimin e aktivitetit të kompanive ajrore një sinjal pozitiv për sektorin e aviacionit në vend. Sipas ministrit, rritja e trafikut ajror lidhet me politikat e liberalizimit të tregut dhe masat e ndërmarra ndër vite, duke veçuar uljen e tarifës për pasagjerët nga 10 euro në 1 euro.
“Tarifa për pasagjerët është aktualisht ndër më të ulëtat në rajon dhe në Europë. Të gjitha këto kanë bërë të mundur që aeroporti i Rinasit të jetë më i madhi në rajon”, u shpreh Karakaçi.
Ministri theksoi se Shqipëria ka tejkaluar ndjeshëm nivelet e trafikut ajror të vitit 2019, duke regjistruar më shumë se trefishin e pasagjerëve në raport me periudhën para pandemisë. Ai nënvizoi gjithashtu investimet e kryera nga Albcontrol, si në burimet njerëzore, ashtu edhe në teknologji, për të garantuar menaxhimin dhe navigimin e sigurt të trafikut ajror.
Karakaçi bëri të ditur se rritja e parashikuar e trafikut është realizuar pa incentiva financiare mbështetëse nga qeveria shqiptare, ndryshe nga praktikat e ndjekura në disa vende të tjera. Zgjerimi i linjave dhe flotës ajrore pritet të mbështesë më tej zhvillimin e aviacionit dhe lidhjen e Shqipërisë me destinacionet ndërkombëtare.








