Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve ka nisur kontrollet në terren ndaj lavazheve që përdorin në mënyrë të paligjshme rrjetin publik të ujit. Aksioni vjen pas përfundimit të afatit të vetërregullimit më 31 tetor dhe do të shtrihet në të gjithë vendin.
Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve ka nisur kontrollet sistematike ndaj subjekteve që furnizohen në mënyrë të paligjshme nga rrjeti publik i ujit, me fokus lavazhet. Sipas AKUK-së, lidhjet e paligjshme ndikojnë në furnizimin e qytetarëve, duke ulur sasinë dhe presionin e ujit në rrjet. Ndërhyrjet e pakontrolluara paraqesin gjithashtu rrezik për ndotjen e sistemit dhe cenimin e cilësisë së ujit të pijshëm.
Nga evidentimi në rang vendi janë identifikuar 1,206 lavazhe aktive. Prej tyre, 460 e kanë larjen e automjeteve aktivitet kryesor, ndërsa 746 e ofrojnë këtë shërbim si aktivitet dytësor. Drejtori i Përgjithshëm i AKUK-së, Fludian Çuka, u ka bërë thirrje bizneseve dhe individëve të shmangin lidhjet e paligjshme, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së rrjetit publik për garantimin e furnizimit të qytetarëve.
Kontrollet do të zhvillohen nga të gjitha shoqëritë rajonale të ujësjellës-kanalizimeve. AKUK thekson se synimi është ndërgjegjësimi dhe respektimi i ligjit, por paralajmëron se ndaj subjekteve që nuk reagojnë do të zbatohen masat përkatëse ligjore. Institucioni apelon për përdorim të përgjegjshëm të ujit, duke e cilësuar rrjetin publik si një pasuri të përbashkët që duhet mbrojtur.







