Projektligji për ndryshimin e ligjit për trashëgiminë kulturore është publikuar për konsultim publik. Nisma parashikon detyrime më të qarta për pronarët e objekteve me vlera kulturore, rregulla të reja për tregtimin dhe eksportin e tyre, si dhe kritere shtesë për vlerësimin në rastet e blerjes apo shpronësimit nga shteti.
Trashëgimia kulturore në Shqipëri pritet të përfshihet në një kuadër të ri administrimi, përmes ndryshimeve të propozuara në ligjin nr. 27/2018. Projektligji, i publikuar për konsultim publik, synon të ndërthurë ruajtjen e vlerave historike me një rol më të madh të tyre në zhvillimin ekonomik. Një nga aspektet kryesore të nismës lidhet me pronat private që shpallen pasuri me interes kulturor. Projektligji nuk parashikon konfiskimin automatik të tyre, por përcakton detyrime më të qarta për mirëmbajtjen, konservimin dhe ndërhyrjet në këto objekte.
Në raste të caktuara, pronarët ose poseduesit mund të përballojnë një pjesë të kostove të ruajtjes së pasurisë. Detyrimi do të përcaktohet mbi bazën e shpenzimeve të dokumentuara, duke zbritur financimin e mbuluar nga shteti. Pronarët do të kenë të paktën 15 ditë për të paraqitur kundërshtimet, ndërsa vendimi mund të ankimohet në gjykatë.
Ndryshime parashikohen edhe në vlerësimin e pronave kulturore që shteti synon të blejë ose shpronësojë për interes publik. Përveç çmimit të tregut, në llogaritje do të përfshihen rëndësia historike, arkitektonike dhe artistike, autenticiteti dhe gjendja fizike e objektit.
Projektligji i jep gjithashtu institucioneve përgjegjëse mundësinë të propozojnë blerjen e objekteve me vlera të veçanta ose unike, kur kërkohet nxjerrja e tyre përfundimtare jashtë Shqipërisë, kundrejt një kompensimi të drejtë. Nisma synon të forcojë kontrollin mbi tregtimin e pasurive kulturore. Aktiviteti do të ushtrohet vetëm nga subjekte të licencuara, ndërsa shkeljet e përsëritura mund të çojnë në revokimin e licencës. Ndryshimet parashikojnë gjithashtu procedura më të detajuara për hyrjen dhe daljen e objekteve kulturore nga territori shqiptar.








