Korridori VIII, Porto Romano dhe kërcënimet hibride në qendër të diskutimeve mes kryeministrit shqiptar dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ku në fokus kanë qenë sfidat aktuale të sigurisë euroatlantike, forcimi i bashkëpunimit strategjik brenda Aleancës dhe roli i Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve të përbashkëta të mbrojtjes. Gjatë takimit, vëmendje e veçantë iu kushtua kërcënimeve hibride, përfshirë sulmet kibernetike, dezinformimin, ndërhyrjet e huaja dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Sipas diskutimeve, këto sfida kërkojnë bashkërendim më të ngushtë dhe përgjigje të koordinuar mes vendeve aleate. Një tjetër çështje me rëndësi strategjike ishte zhvillimi i Korridorit VIII si korridor i mobilitetit ushtarak, që lidh Adriatikun me Detin e Zi. Projekti konsiderohet i rëndësishëm për lëvizshmërinë, gatishmërinë operacionale dhe sigurinë e krahut juglindor të NATO-s. Në këtë kuadër, u diskutua edhe rëndësia e projektit të Porto Romanos për zhvillimin e kapaciteteve infrastrukturore dhe logjistike në mbështetje të nevojave strategjike të Aleancës.
Samiti i NATO-s në Tiranë
Gjatë takimit u rikonfirmua gjithashtu mbajtja në Tiranë e Samitit të ardhshëm të NATO-s, në vijim të vendimit të marrë nga vendet aleate. Organizimi i samitit përbën një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, si vend mikpritës i forumit më të lartë politik të Aleancës dhe si një anëtar me rol në rritje në arkitekturën euroatlantike të sigurisë. Samiti pritet të vendosë Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në qendër të diskutimeve strategjike për të ardhmen e sigurisë kolektive, në një periudhë të karakterizuar nga pasiguri dhe sfida të shtuara gjeopolitike. Shqipëria, sipas qëndrimit të përcjellë, mbetet e angazhuar në forcimin e partneritetit transatlantik, përmbushjen e detyrimeve si vend anëtar dhe kontributin aktiv për një Aleancë më të fortë dhe më të përgatitur për sfidat e së ardhmes.







