Banka e Shqipërisë ka miratuar paketën rregullatore për funksionimin e sistemit të pagesave të menjëhershme IPSA, i cili pritet të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si qytetarët dhe bizneset kryejnë transfertat bankare. Vendimi u mor në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës më 3 nëntor 2026, ku u miratuan rregulloret për funksionimin e sistemit të ri IPSA, si dhe për sistemet ekzistuese të pagesave AIPS, AIPS EURO dhe AECH.
Sistemi IPSA do të mundësojë kryerjen e pagesave në lekë dhe euro në mënyrë të pandërprerë, 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, gjatë gjithë vitit. Sipas Bankës së Shqipërisë, transfertat do të realizohen brenda një kohe maksimale prej 10 sekondash nga momenti i pranimit të tyre nga ofruesi i shërbimit të pagesave të dërguesit.
Kjo do të thotë se pagesat nuk do të kufizohen më nga oraret tradicionale të funksionimit të bankave, duke mundësuar kryerjen e transfertave edhe gjatë fundjavave dhe ditëve të festave. Projekti është pjesë e një nisme të përbashkët të pesë bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Banka e Shqipërisë. Infrastruktura teknologjike dhe mbështetja operacionale do të ofrohen nga Banka e Italisë, sipas modelit të sistemit evropian të pagesave të menjëhershme TIPS.
Paketa e re rregullatore përcakton rregullat e funksionimit të sistemeve, si dhe të drejtat dhe detyrimet e pjesëmarrësve. Ajo synon gjithashtu të mundësojë ndërveprimin e sistemit të ri me infrastrukturat ekzistuese të pagesave dhe të përshtatë kuadrin ligjor me zhvillimet e reja në këtë sektor. Sipas Bankës së Shqipërisë, implementimi i IPSA-s pritet të kontribuojë në modernizimin e tregut shqiptar të pagesave, rritjen e përdorimit të pagesave elektronike, formalizimin e ekonomisë dhe integrimin e mëtejshëm financiar të vendit me Bashkimin Evropian.







