Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%. Vendimi u bë i ditur nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një konferencë për mediat pas mbledhjes së Këshillit.
Gjatë fjalës së tij, Sejko vlerësoi se ekonomia shqiptare vijon të shënojë rritje pozitive dhe solide, ndërsa tregu i punës mbetet në nivele të qëndrueshme. Sipas të dhënave të bëra publike nga Guvernatori, shkalla e papunësisë zbriti në 8.3% në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit.
Sejko theksoi gjithashtu se kërkesa e lartë për punë dhe vështirësitë që po hasin bizneset për sigurimin e fuqisë punëtore vijojnë të ushtrojnë presion në rritje mbi pagat.
“Shkalla e papunësisë zbriti në 8.3% në fund të gjashtëmujorit të parë. Kërkesat për punë dhe vështirësitë e bizneseve për sigurimin e fuqisë punëtore kanë vijuar të ushtrojnë presione mbi pagat, që u rritën me 11.6% në terma nominalë dhe 6.8% në terma realë gjatë këtij tremujori”, deklaroi Guvernatori.
Mbajtja e pandryshuar e normës bazë të interesit në 2.5% vjen në një kohë kur Banka e Shqipërisë vlerëson ecurinë e ekonomisë, zhvillimet në tregun e punës dhe presionet mbi pagat, si faktorë të rëndësishëm për vendimmarrjen e politikës monetare.








