Nga 1 janari 2027, qytetarët dhe bizneset në Shqipëri do të kenë 13 muaj kohë nga data e debitimit për të kundërshtuar transaksionet bankare të paautorizuara ose të kryera gabim. Ndryshimi parashikohet në ligjin nr. 108/2026, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 55/2020 ‘Për shërbimet e pagesave’”, i botuar në Fletoren Zyrtare nr. 235. Ndryshimet synojnë të forcojnë mbrojtjen e përdoruesve të shërbimeve të pagesave, të rrisin transparencën e tarifave dhe të përafrojnë kuadrin ligjor shqiptar me atë të Bashkimit Europian.
Transparencë më e madhe për tarifat bankare
Përveç zgjatjes së afatit të ankimimit, ligji i ri vendos rregulla për transparencën e tarifave dhe kushtet e shërbimeve të pagesave. Kuadri i ri krijon gjithashtu bazën për kufizimin e tarifave të shkëmbimit në pagesat me kartë, me synimin për të ulur kostot financiare dhe për të nxitur konkurrencën në treg.
Shërbimet financiare drejt tregut europian
Ndryshimet ligjore synojnë të përgatisin tregun financiar shqiptar për integrimin në Bashkimin Europian. Me anëtarësimin e plotë, institucionet shqiptare të licencuara do të mund të ofrojnë shërbime në vendet e BE-së përmes degëve apo agjentëve, ndërsa ofruesit europianë do të kenë mundësi të operojnë në Shqipëri. Ligji përcakton gjithashtu kërkesa më të forta për institucionet e parasë elektronike, përfshirë licencimin, kapitalin fillestar dhe mbrojtjen e fondeve të klientëve. Këto fonde duhet të jenë të mbrojtura dhe të mos përdoren për shlyerjen e kreditorëve të tjerë në rast falimentimi të institucionit.
Siguria kibernetike dhe ankesat e qytetarëve
Një tjetër element i rëndësishëm lidhet me sigurinë e shërbimeve financiare. Ofruesit e pagesave do të duhet të zbatojnë sisteme për administrimin e rreziqeve të teknologjisë së informacionit dhe për garantimin e qëndrueshmërisë operacionale digjitale. Incidentet madhore dhe rastet e mashtrimit duhet t’i raportohen pa vonesë Bankës së Shqipërisë, e cila do të koordinojë masat me autoritetet përkatëse.
Ndërkohë, Banka e Shqipërisë parashikohet të krijojë një njësi të posaçme për Zgjidhjen Alternative të Mosmarrëveshjeve, e cila do të trajtojë ankesat e qytetarëve lidhur me shërbimet e pagesave. Ligji u miratua në Kuvend më 22 tetor 2026 dhe u dekretua nga Presidenti Bajram Begaj më 31 tetor 2026. Ai hyn në fuqi më 1 janar 2027, në kuadër të reformave për zgjerimin e pagesave digjitale dhe reduktimin e përdorimit të parasë fizike.








