Besimi i bizneseve dhe konsumatorëve në ekonomi është përmirësuar gjatë muajit tetor, por ecuria mbetet e ndryshme nga një sektor në tjetrin. Sipas vrojtimit më të fundit të Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) u rrit me 0.4 pikë, duke qëndruar 8 pikë mbi mesataren historike.
Përmirësimi i klimës ekonomike është mbështetur kryesisht nga industria, shërbimet dhe konsumatorët, ndërsa ndërtimi dhe tregtia kanë regjistruar rënie të besimit. Rritjen më të madhe e shënoi sektori i shërbimeve, me 3.2 pikë. Bizneset raportojnë kërkesë më të lartë për shërbimet e tyre dhe një ecuri më të mirë të aktivitetit ekonomik.
Edhe industria regjistroi përmirësim, me 2.5 pikë, duke ndërprerë rënien e tre muajve të mëparshëm. Megjithatë, pavarësisht ecurisë më të mirë të prodhimit aktual, porositë nga eksportet vijojnë të mbeten një element dobësie për sektorin. Në të kundërt, ndërtimi shënoi rënien më të fortë të besimit, me 5.7 pikë. Sipas vrojtimit, kjo lidhet me pakësimin e kontratave të porositura dhe dobësimin e aktivitetit ndërtues.
Edhe tregtia regjistroi një rënie prej 3.5 pikësh. Bizneset e këtij sektori kanë vlerësime më pak optimiste për shitjet, ndërsa pritjet për punësimin janë dobësuar.
Një sinjal pozitiv vjen nga konsumatorët, ku treguesi i besimit u rrit me 1.1 pikë. Familjet shfaqen më optimiste për gjendjen e tyre financiare dhe perspektivën ekonomike. Gjithashtu, janë përmirësuar pritjet për blerjet e mëdha, si mobiliet dhe pajisjet elektroshtëpiake, ndonëse gatishmëria për këto shpenzime mbetet ende e ulët. Në tërësi, vrojtimi i Bankës së Shqipërisë tregon një përmirësim gradual të perceptimit për ekonominë, por me diferenca të dukshme mes sektorëve. Rritja e besimit në industri dhe shërbime, si dhe te konsumatorët, bashkëjeton me sinjalet negative nga ndërtimi dhe tregtia.








