Gjobat për shkeljet gjatë protestave mund të arrijnë deri në 5 milionë lekë të vjetra, sipas paketës së re të masave të prezantuar nga kryeministri Edi Rama. Propozimet parashikojnë sanksione financiare për pjesëmarrjen në tubime të paligjshme, mosbindjen ndaj urdhrave të policisë, fshehjen e identitetit dhe dëmtimin e pronës.
Sipas Ramës, pjesëmarrja në një tubim pa leje dhe mosbindja ndaj thirrjeve për largim do të gjobiten nga 100 mijë deri në 1 milion lekë të vjetra për person. Ndërsa mosbindja ndaj urdhrit për shpërndarje dhe fshehja e identitetit mund të ndëshkohen me gjoba deri në 5 milionë lekë të vjetra.
“Mosbindja ndaj urdhërit për shpërndarje dhe fshehja e identitetit do të gjobiten deri në 500 000 lekë të reja për çdo pjesëmarrës”, deklaroi kryeministri gjatë prezantimit të paketës.
Sanksione parashikohen edhe për bllokimin e qarkullimit, me gjobë prej 50 mijë lekësh të vjetra për çdo pjesëmarrës, sipas masave të propozuara.
Paketës i shtohet edhe parimi “Kush thyen, paguan”, përmes të cilit synohet që personat përgjegjës për dëmtimin e pronës publike dhe private të paguajnë për dëmet e shkaktuara. Në rastet kur dëmet shkaktohen nga të miturit, përgjegjësia financiare parashikohet t’u kalojë prindërve ose kujdestarëve.
Rama theksoi se masat synojnë të dallojnë protestën paqësore nga aktet e dhunës. Paketa përfshin ndryshime në ligjin për tubimet dhe në Kodin Penal, ndërsa propozimet duhet të ndiqen sipas procedurave përkatëse ligjore.







