Pronarët e automjeteve që kanë dalë përfundimisht jashtë përdorimit do të mund t’i dorëzojnë ato për trajtim pa pagesë, edhe kur makina nuk ka më vlerë tregu ose kur kostot e trajtimit tejkalojnë vlerën e saj. Ky është një nga parashikimet e projektvendimit për menaxhimin e automjeteve në fund të jetës, i cili përcakton përgjegjësitë financiare për grumbullimin dhe trajtimin e tyre.
Sipas draftit, kostot e marrjes në dorëzim pa pagesë për pronarin do të mbulohen tërësisht ose në një pjesë të konsiderueshme nga prodhuesit, ku përfshihen edhe importuesit profesionalë të automjeteve në Shqipëri. Megjithatë, parashikohen dy raste kur operatori i autorizuar mund të kërkojë pagesë për trajtimin e automjetit, kur atij i mungojnë pjesë thelbësore, veçanërisht motori dhe karroceria, ose kur brenda tij janë vendosur mbetje që nuk i përkasin automjetit.
Projektvendimi nuk përcakton një tarifë konkrete për këto raste dhe as koston totale që do të përballojë sektori. Sipas relacionit shoqërues, rregullat e hollësishme për mbulimin e kostove trajtohen nga legjislacioni për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit.
Detyrime të reja parashikohen edhe për bizneset që grumbullojnë, çmontojnë ose trajtojnë automjete jashtë përdorimit. Ato do të kenë 18 muaj nga hyrja në fuqi e vendimit për të përshtatur infrastrukturën dhe për të përmbushur kërkesat minimale teknike për vendet e ruajtjes dhe trajtimit. Ndërkohë, sipas relacionit, zbatimi i projektvendimit nuk parashikohet të sjellë shpenzime shtesë për buxhetin e shtetit.
Dorëzimi i automjetit do të dokumentohet përmes certifikatës së shkatërrimit, e cila do të shërbejë si kusht për çregjistrimin e përhershëm. Nisma synon të kufizojë braktisjen e automjeteve dhe çmontimin e pakontrolluar, duke orientuar pjesët dhe materialet e tyre drejt ripërdorimit dhe riciklimit.








