Përdorimi i shërbimeve bankare online po fiton gjithnjë e më shumë terren në Shqipëri. Pagesat, transfertat dhe veprimet e tjera financiare po kryhen gjithnjë e më shpesh përmes telefonit apo kompjuterit, duke reduktuar nevojën për paraqitjen fizike në sportelet e bankave.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë një rritje të ndjeshme të përdorimit të shërbimit home banking gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2015, përmes këtij shërbimi u kryen rreth 1.4 milionë transaksione, ndërsa në vitin 2025 numri i tyre tejkaloi 11.5 milionë. Kështu, në harkun e dhjetë viteve, numri i veprimeve bankare online është rritur më shumë se tetë herë, duke reflektuar përhapjen e shërbimeve financiare elektronike mes qytetarëve dhe bizneseve.
Përveç numrit të veprimeve, rritje e ndjeshme është regjistruar edhe në vlerën e transaksioneve të kryera përmes home banking. Në vitin 2015, shuma totale ishte rreth 283 miliardë lekë, ndërsa në vitin 2025 arriti në rreth 2.7 trilionë lekë. Tendenca rritëse vijon edhe gjatë vitit 2026. Për periudhën janar-gusht janë kryer mbi 9 milionë transaksione, me një vlerë totale prej rreth 2.1 trilionë lekësh. Korriku rezultoi muaji me aktivitetin më të lartë gjatë kësaj periudhe, me afro 1.3 milionë transaksione. Në gusht, numri i veprimeve pësoi një rënie të lehtë, por mbeti mbi 1.2 milionë.
Zgjerimi i përdorimit të shërbimeve bankare online po e bën më të shpejtë dhe më të lehtë administrimin e parave, duke u mundësuar klientëve të kryejnë pagesa dhe transferta pa u paraqitur fizikisht në banka. Megjithatë, numri i transaksioneve nuk përfaqëson numrin e përdoruesve të këtij shërbimi, pasi i njëjti klient mund të kryejë disa veprime bankare brenda një periudhe të shkurtër. Pavarësisht këtij dallimi, shifrat tregojnë se home banking po konsolidohet si një kanal i rëndësishëm për kryerjen e veprimeve financiare në Shqipëri.








