Administrata Tatimore ka evidentuar deri më tani 127 subjekte biznesi të dëmtuara nga protestat e ditëve të fundit, ndërsa vlera e dëmeve të raportuara dhe të vlerësuara arrin në 2.15 milionë euro. Procesi i verifikimit vijon dhe bilanci mbetet paraprak.
Sipas të dhënave të përditësuara të publikuara nga Administrata Tatimore, nga 127 subjektet e identifikuara, 55 janë evidentuar përmes verifikimeve të drejtpërdrejta në terren nga strukturat tatimore, ndërsa 72 të tjera kanë raportuar dëmet përmes shërbimit elektronik “Dëmi im”, në portalin e-Albania.
Administrata Tatimore bën të ditur se procesi i evidentimit dhe vlerësimit të pasojave ekonomike vijon, me qëllim përcaktimin e saktë të numrit të bizneseve të prekura dhe të vlerës financiare të dëmeve të shkaktuara.
Për këtë arsye, shifrat aktuale nuk përbëjnë bilancin përfundimtar dhe mund të ndryshojnë në varësi të rezultateve të verifikimeve që po kryhen. Subjektet tregtare që kanë pësuar dëmtime mund të vijojnë raportimin e tyre përmes shërbimit të dedikuar “Dëmi im”, duke deklaruar pasojat e shkaktuara në ambientet dhe aktivitetin e tyre ekonomik.
Dëmet e evidentuara përbëjnë një kosto të drejtpërdrejtë për bizneset e prekura nga protestat. Vlera përfundimtare e humbjeve dhe numri i subjekteve të dëmtuara do të përcaktohen pas përfundimit të procesit të verifikimit dhe vlerësimit nga Administrata Tatimore.








