Punëkërkuesit e papunë nga grupet e veçanta do të përfitojnë mbështetje financiare për ndjekjen e kurseve të formimit profesional, si dhe subvencionim të shpenzimeve të transportit. Skema e re parashikon pagesa mujore gjatë gjithë kohëzgjatjes së kursit, me synim lehtësimin e pjesëmarrjes në programet e aftësimit profesional dhe rritjen e mundësive për punësim. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, të propozuar nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, mbështetja financiare për pjesëmarrjen në kurset e formimit profesional do të jetë në masën 50% të pagës minimale, për çdo orë mësimore të frekuentuar. Për kursantët që kanë vendbanimin më shumë se dy kilometra larg institucionit të formimit profesional, parashikohet gjithashtu një bonus transporti prej 1 800 lekësh në muaj. Pagesat do të kryhen çdo muaj në llogarinë bankare të përfituesve, për të gjithë periudhën e zhvillimit të kursit, pasi të dorëzohet dokumentacioni që vërteton pjesëmarrjen.
Kushtet për përfitimin e mbështetjes
Vendimi përcakton se çdo përfitues mund të marrë mbështetje financiare për vetëm një kurs brenda një periudhe 12-mujore. Në rast se kursanti largohet me dëshirë nga kursi ose mungon në më shumë se 20% të orëve mësimore, pagesa ndërpritet menjëherë dhe ai humbet të drejtën e përfitimit për muajin aktual dhe muajt në vijim. Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, nëpërmjet drejtorive rajonale, do të vlerësojë nevojat e punëkërkuesve të papunë nga grupet e veçanta dhe do t’i referojë ata në kurset përkatëse të formimit profesional. Në përfundim të kursit, pjesëmarrësit do të pajisen me certifikatë të njohur në nivel kombëtar. Nga skema e mbështetjes përjashtohen kurset që zhvillohen në kuadër të programit të të nxënit në vendin e punës. Skema e mbështetjes financiare do të zbatohet për një periudhë pesëvjeçare nga hyrja në fuqi e vendimit. Efektet financiare do të përballohen nga buxheti i shtetit, në kuadër të programit “Tregu i punës”.







