Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një paketë masash ndaj personave që përfshihen në akte dhune dhe shkaktojnë dëme materiale, duke theksuar se përgjegjësia do të shtrihet edhe te prindërit e të miturve. Gjatë një takimi me drejtorët e gjimnazeve të Tiranës, kreu i qeverisë tha se shteti do të kërkojë dëmshpërblimin e dëmeve të shkaktuara, ndërsa konfirmoi se po shqyrtohet edhe mundësia e uljes së moshës së përgjegjësisë penale.
“Po përgatisim një paketë për ata që dhunojnë. Kush dhunon do të ndiqet nga hija e shtetit, që i kërkon një më një dëmshpërblimin”, deklaroi Rama.
Ai u ndal te përgjegjësia e prindërve për veprimet e fëmijëve të tyre, duke theksuar se familjet duhet të mbajnë përgjegjësi për dëmet e shkaktuara, edhe pse pranoi se në rrethana të caktuara sociale prindërit kanë nevojë për mbështetje.
“Prindi ka përgjegjësinë e vet, edhe pse jemi të vetëdijshëm se në kushtet e veçanta sociale prindërit duhen ndihmuar, por prindërit do të jenë pjesë e përgjegjësisë së dëmit të shkaktuar nga fëmijët e tyre. Nuk ka je i mitur dhe nuk mban asnjë përgjegjësi”, u shpreh kryeministri.
Një tjetër çështje e ngritur nga Rama ishte mundësia e uljes së moshës së përgjegjësisë penale, si një instrument për të frenuar dhunën nga të miturit. Sipas tij, kjo çështje është në shqyrtim, ndërsa theksoi nevojën për të adresuar edhe përgjegjësinë e familjeve.
“Ulja e moshës për dënimin penal është një aspekt që ne po e studiojmë, siç po bën Europa, por ky është instrument i forcës së shtetit. Ne duam të ndjekim aspektin penal, të familjes që i ka këta fëmijë”, deklaroi Rama.
Kryeministri foli gjithashtu për mundësinë e kufizimit të përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët deri në moshën 16-vjeçare. Ai argumentoi se duhet gjetur një zgjidhje për rastet kur, sipas tij, këto platforma përdoren për kërcënime dhe përhapjen e sjelljeve agresive.
“Është koha t’i japim përgjigje pyetjes sesi do të realizojmë ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët deri 16 vjeç dhe sesi do ta adresojmë gjithë këtë masë agresorësh që përmes rrjeteve sociale kërcënojnë dhe i marrin erëzin e qetësinë familjeve”, tha Rama.
Duke iu referuar protestave dhe akteve të dhunës, kreu i qeverisë deklaroi se është i gatshëm të dëgjojë çdo kritikë dhe të diskutojë me protestuesit, por përjashtoi mundësinë që kërkesat politike të imponohen përmes dhunës.







