Shoqata e Restoranteve dhe Bujtinave Shqiptare (RBSh) ka bërë thirrje për protesta paqësore, duke shprehur shqetësimin për aktet e dhunës, djegiet dhe shkatërrimin e pronave publike dhe private gjatë protestave në Tiranë. Në një reagim publik, shoqata thekson se mbështet të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por kundërshton çdo formë dhune që cenon sigurinë, bizneset dhe punën e sipërmarrësve.
Sipas RBSh-së, Shqipëria po fitonte gjithnjë e më shumë vëmendje në tregun ndërkombëtar të turizmit, ndërsa sektori po synonte rritjen e standardeve të cilësisë dhe përfshirjen në hartën e gastronomisë ndërkombëtare, përfshirë synimin për të arritur standardet e yjeve Michelin.
Shoqata paralajmëron se pamjet e rrugëve të mbuluara nga tymi dhe flakët dëmtojnë imazhin e vendit dhe rrezikojnë përpjekjet e bizneseve për të zhvilluar turizmin dhe gastronominë shqiptare.
Reagimi i plotë:
THIRRJE PËR PROTESTË PAQËSORE, JO DHUNË!
Anëtarësia e Shoqatës së Restoranteve dhe Bujtinave Shqiptare mbështet të drejtën për protestë paqësore dhe shpreh shqetësimin e saj për aktet e dhunës, djegiet dhe shkatërrimin e pronave e të bizneseve.
Shqipëria po fitonte gjithnjë e më shumë vëmendje si një kartolinë e bukur e turizmit botëror. Turizmi ynë po ngjitej drejt standardeve të larta të cilësisë, me synimin për të qenë pjesë e hartës së gastronomisë ndërkombëtare dhe të yjeve Michelin. Por imazhi i vendit nuk mund të mbrohet kur rrugët mbulohen nga tymi dhe flakët e dhuna kërcënon punën e ndershme të sipërmarrësve.
Protesta është e drejtë, dhuna nuk është zgjidhje!
Shoqata u bën thirrje të gjithë qytetarëve, organizatorëve dhe pjesëmarrësve që të ruajnë karakterin paqësor të protestave, të respektojnë pronën publike e private dhe të mos lejojnë që zemërimi të kthehet në shkatërrim.
Fëmijët dhe të rinjtë meritojnë të dëgjohen, të respektohen dhe të mbrohen. I bëjmë thirrje që të mos përfshihen në akte dhune dhe të mos ekspozohen ndaj situatave të rrezikshme.
Bizneset janë vende pune, familje që jetojnë me mundin e tyre dhe një pjesë e rëndësishme e ekonomisë e turizmit shqiptar.
Të mbrojmë të drejtën për të protestuar, por edhe të drejtën për të punuar, për të ndërtuar dhe për të ardhmen e Shqipërisë.
Shqipëria ka nevojë për zëra që dëgjohen, jo për flakë që shkatërrojnë!
Shoqata e Restoranteve dhe Bujtinave Shqiptare (RBSh)







