Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj ka reaguar për dëmtimin e bizneseve, pronave dhe infrastrukturës bankare gjatë protestave të ditëve të fundit. Sipas reagimit të saj, në të gjithë vendin janë dëmtuar 38 degë bankare dhe 42 bankomate, duke cënuar shërbimet e përditshme për qytetarët dhe bizneset. Në reagimin e saj, Ibrahimaj thekson se kërkesat e studentëve duhet të dëgjohen dhe të merren seriozisht, por kundërshton shoqërimin e protestave me akte shkatërrimi.
“Në këto ditë, kur zëri i studentëve duhet dëgjuar dhe kërkesat e tyre duhen marrë seriozisht, është e papranueshme që protesta të shoqërohet me akte shkatërrimi”, shprehet ministrja. Ministrja nënvizon se dëmet dhe dhuna sjellin pasoja për të gjithë shoqërinë, duke kërkuar që kjo situatë të marrë fund.
“Askush nuk fiton nga kjo dhunë, pasojat do i vuajnë të gjithë. Kjo situatë duhet të marrë fund!”, përfundon reagimi i Ibrahimajt.
Reagimi i plotë:
“Në emër të protestës studentore, prej ditësh po dëmtohen biznese, prona dhe veçanërisht degë bankare e bankomate. 38 degë bankare dhe 42 ATM të dëmtuara në të gjithë vendin, duke cenuar shërbimet e përditshme për qytetarët dhe bizneset.
Në këto ditë, kur zëri i studentëve duhet dëgjuar dhe kërkesat e tyre duhen marrë seriozisht, është e papranueshme që protesta të shoqërohet me akte shkatërrimi. Askush nuk fiton nga kjo dhunë, pasojat do i vuajnë të gjithë. Kjo situatë duhet të marrë fund!”








