Projekti 110 mln euro për ujërat e ndotura të Tiranës, qeveria miraton ndryshimin e marrëveshjes me Japoninë
Projekti prej 110 milionë eurosh për përmirësimin e sistemit të kanalizimeve dhe trajtimin e ujërave të ndotura në Tiranën e Madhe po hyn në një fazë të re riaktivizimi. Qeveria ka miratuar në parim marrëveshjen ndryshuese të huasë së financuar nga pala japoneze, për një projekt që ka mbetur i papërfunduar prej vitesh.
Ndryshimi i marrëveshjes për projektin “Përmirësimi i sistemit të kanalizimeve për Tiranën e Madhe” do të realizohet përmes shkëmbimit të letrave ndërmjet palëve. Marrëveshja fillestare e huasë u nënshkrua më 30 qershor 2008 me Bankën Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, e cila në tetor të po atij viti u zëvendësua nga Agjencia Japoneze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA).
Riaktivizimi i projektit ishte paralajmëruar në muajin maj nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjatë një interpelance në Kuvend. Ai bëri të ditur se konsulenti kishte përfunduar rishikimin dhe përditësimin e projektit teknik të detajuar, me synimin për të mundësuar vijimin dhe përfundimin e punimeve të ndërprera.
Në atë kohë, sipas ministrit, po përgatiteshin dokumentet standarde të tenderit, ndërsa pritej nisja e procedurës konkurruese për përzgjedhjen e kontraktorit që do të përfundonte impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura.
Projekti parashikon përmirësimin e sistemit të kanalizimeve dhe trajtimin e ujërave të ndotura të kryeqytetit, duke synuar përmirësimin e infrastrukturës mjedisore dhe të menaxhimit të ujërave të përdorura.
Miratimi në parim i marrëveshjes ndryshuese përbën një hap tjetër drejt rifillimit të projektit. Megjithatë, pas viteve të vonesave, sfida kryesore mbetet përfundimi i procedurave të prokurimit dhe vijimi i punimeve deri në vënien në funksion të impiantit.








