Qeveria ka prezantuar platformën “Pasqyra e Çmimeve”, e cila u mundëson qytetarëve të krahasojnë online çmimet e produkteve në rrjete të ndryshme supermarketesh. Në kuadër të kësaj nisme, programi “KURSE” parashikon çmime të reduktuara dhe të pandryshuara për 212 produkte ushqimore dhe të higjienës deri më 12 janar 2027.
Sipas listës së publikuar, uljet më të mëdha arrijnë deri në 40% për kripën e jodizuar 500 gramë dhe vezët, të cilat do të shiten me çmime më të ulëta. Në krahun tjetër, sheqeri shënon ndër uljet më të vogla: një kilogram do të kushtojë 69 lekë, nga 70 lekë më parë, për periudhën e përcaktuar nga nisma.
Ulja të konsiderueshme parashikohen edhe për produkte të tjera të shportës familjare. Orizi do të ketë ulje nga 4% deri në 26%, ndërsa makaronat nga 4% deri në 22%. Për produktet e bulmetit, reduktimet variojnë nga 4% deri në 25%, në varësi të artikullit. Sa i përket vajit, çmimi i vajit të ullirit do të ulet me 5%, ndërsa ai i vajit të lulediellit me 3% deri në 6%. Ulje parashikohen gjithashtu për miellin, fasulet, thjerrëzat dhe kafenë.
Për produktet e higjienës, nisma përfshin edhe artikuj si shampo dhe sapunë, me ulje çmimesh që, sipas të dhënave të bëra publike, variojnë nga 27% deri në 34%.
Lista me uljen e çmimeve për ushqimet:
Kripë – ulje nga 25% deri në 40%
Vezë – ulje nga 5% deri në 40%
Qumësht – ulje nga 4% deri në 25%
Kos – ulje nga 5% deri në 20%
Djathë – ulje nga 7% deri në 17%
Gjalpë – ulje nga 6% deri në 15%
Miell – ulje nga 5% deri në 24%
Makarona – ulje nga 4% deri në 22%
Oriz – ulje nga 4% deri në 26%
Fasule – ulje nga 15% deri në 20%
Thjerrëza – ulje nga 7% deri në 25%
Vaj ulliri – ulje 5%
Vaj luledielli – ulje nga 3% deri në 6%
Kafe – ulje nga 5% deri në 15%
Sheqer – ulje nga 1% deri në 7%








