Shqipëria ka regjistruar për herë të parë 74,168 mjete gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026. Sipas të dhënave të publikuara nga DPSHTRR në platformën Open Data, pjesën më të madhe e zënë autoveturat, me 58,986 regjistrime.
Të dhënat tregojnë se qershori ishte muaji me numrin më të lartë të regjistrimeve, me 9,915 mjete, i ndjekur nga korriku me 9,614 dhe prilli me 8,707. Në gusht u regjistruan 8,085 mjete, ndërsa në shtator 7,639.
Sa i përket shpërndarjes gjeografike, Tirana kryeson me 31,549 mjete të regjistruara për herë të parë, e ndjekur nga Durrësi me 11,975 dhe Fieri me 5,708. Elbasani dhe Shkodra renditen më pas, përkatësisht me 4,161 dhe 4,146 regjistrime.
Për sa i përket shtetit të origjinës, Koreja e Jugut renditet e para me 19,511 mjete, e ndjekur nga Kina me 11,548 dhe Gjermania me 8,930. Në listë vijojnë Italia me 8,552 mjete, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 6,104, Zvicra me 5,056 dhe Kanadaja me 2,984.
Sipas DPSHTRR-së, të dhënat përfshijnë 32 lloje mjetesh dhe 683 marka të ndryshme të regjistruara për herë të parë gjatë vitit 2026, deri në muajin shtator.







