Administrata publike pritet të ketë një ministri të dedikuar. Kryeministri Edi Rama njoftoi krijimin e Ministrisë së Administratës Publike javën e ardhshme, e cila do të drejtohet nga Adea Pirdeni, aktualisht ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Anti-Korrupsionin. Njoftimi u bë gjatë prezantimit të platformës “Shkalla e Meritës”, që synon forcimin e profesionalizmit dhe meritokracisë në administratë, në funksion të integrimit europian të Shqipërisë.
Kreu i qeverisë argumentoi se krijimi i kësaj ministrie vjen në një moment kur administrata publike është kthyer në një nga prioritetet kryesore të qeverisë dhe të procesit të integrimit europian. Sipas Ramës, ministria e re do të zgjerojë fushën e përgjegjësive dhe ambicieve për modernizimin e shtetit.
“Do të krijojmë javën e ardhshme Ministrinë e Administratës Publike, pikërisht se tanimë tema e administratës publike është një temë shumë qendore e punës së qeverisë dhe e shtetbërjes së mëtejshme europiane të Shqipërisë. Është nevoja që përmes kësaj ministrie që e kanë shumë vende të tjera europiane, ne të zgjerojmë gamën e detyrave, punëve e ambicieve për të ngritur më lart shtetin europian të shqiptarëve. Nuk diskutohet që Ministrinë e Administratës Publike mund ta drejtojë dhe ta çojë përpara vetëm ministrja e Shtetit për Administratën Publike, Adea Pirdeni”., theksoi kryeministri Rama,
Gjatë prezantimit të platformës “Shkalla e Meritës”, Rama theksoi se synimi është që vlerësimi i punonjësve të administratës të bazohet te puna dhe performanca e tyre. Në këtë proces, qeveria parashikon të përdorë edhe Inteligjencën Artificiale, ndërsa konkurset për vendet e punës pritet të zhvillohen me një nivel të lartë transparence. Përmes platformës së re dhe krijimit të ministrisë së dedikuar, qeveria synon të forcojë profesionalizmin dhe meritokracinë në administratën publike, si pjesë e përpjekjeve për përmbushjen e objektivit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.







