Një projektligj i ri për sigurimin e depozitave parashikon ndryshime në mënyrën e funksionimit të skemës së mbrojtjes së kursimeve në Shqipëri, duke përcaktuar nivelet e mbulimit, procedurat e kompensimit dhe detyrimet e institucioneve financiare.
Sipas projektligjit, depozitat e individëve dhe subjekteve që përfshihen në skemë do të sigurohen deri në 6 milionë lekë për çdo depozitues në një institucion krediti anëtar të skemës, ndërsa për shoqëritë e kursim-kreditit niveli i mbulimit parashikohet deri në 2 milionë lekë.
Një mbrojtje më e lartë parashikohet për individët që përfitojnë shuma të konsiderueshme të përkohshme nga transaksionet e pasurive të paluajtshme për banim, përfitimet sociale, sigurimet apo dëmshpërblimet për dënime të padrejta penale. Në këto raste, mbulimi mund të arrijë deri në 15 milionë lekë, nëse plotësohen kushtet ligjore dhe dokumentohen burimet e fondeve. Shumat duhet të jenë transferuar ose të jenë bërë ligjërisht të transferueshme brenda një periudhe jo më të gjatë se gjashtë muaj përpara ngjarjes së sigurimit.
Projektligji përcakton gjithashtu se skema zbatohet për institucionet e kreditit, shoqëritë e kursim-kreditit dhe subjektet e tjera të licencuara nga Banka e Shqipërisë për pranimin e depozitave, të cilat duhet të jenë anëtare të skemës së sigurimit.
Një tjetër element i rëndësishëm është forcimi i transparencës ndaj klientëve. Institucionet financiare do të duhet t’u japin depozituesve informacion të qartë mbi skemën, nivelin e mbulimit, depozitat e përjashtuara dhe afatet e kompensimit, përpara nënshkrimit të kontratës dhe sa herë që ndryshojnë të dhënat përkatëse.
Nisma parashikon edhe detyrime për bankat dhe institucionet e tjera anëtare lidhur me regjistrimin elektronik të depozituesve, raportimin e të dhënave dhe sistemet që mundësojnë identifikimin e saktë të shumave që duhet të kompensohen.
Skema administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, ndërsa Banka e Shqipërisë luan rol në licencimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve financiare, si dhe në miratimin e rregullave zbatuese.








