Investimet turke në Shqipëri arritën në rreth 111 milionë euro gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, kërkon që bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve të shkojë përtej marrëdhënieve tregtare, duke nxitur investime të drejtpërdrejta në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare.
Gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Biznesit Ballkanik, organizuar në Tiranë nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Turqi (ATTSO), Ibrahimaj theksoi se bashkëpunimi rajonal dhe shfrytëzimi i avantazheve konkurruese janë thelbësore për të tërhequr më shumë kapital dhe për të zgjeruar tregtinë.
Forumi mblodhi përfaqësues të bizneseve dhe dhomave të tregtisë nga Shqipëria, Turqia, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, me synimin për të krijuar partneritete të reja tregtare dhe për të nxitur investimet në rajon.
“Ne, në Ballkanin Perëndimor, jemi ekonomi të vogla dhe vetëm duke bashkëpunuar, duke investuar bashkërisht dhe duke shfrytëzuar kapacitetet tona aty ku secili ka avantazhe konkurruese, mund të përthithim më shumë investime dhe të nxisim tregtinë”, u shpreh ministrja.
Turqia përbënte 7,3% të volumit të përgjithshëm tregtar të Shqipërisë gjatë vitit 2025, duke u renditur ndër partnerët kryesorë tregtarë të vendit. Megjithatë, shkëmbimet vijojnë të dominohen nga importet, duke e bërë rritjen e eksporteve shqiptare drejt tregut turk një prej sfidave të bashkëpunimit ekonomik.
Ibrahimaj u bëri thirrje kompanive turke që të mos e kufizojnë praninë e tyre në Shqipëri vetëm te shitjet dhe kontraktimet, por të zgjerojnë aktivitetin përmes investimeve të drejtpërdrejta.
“Ne do t’i krijojmë kushtet, por duhet që edhe biznesi të jetë më aktiv. Uroj që interesi i kompanive turke në Shqipëri të mos jetë vetëm për të kontraktuar apo për të shitur, por edhe për të investuar”, deklaroi ajo.
Një tjetër prioritet, sipas ministres, është zhvillimi i tregut të përbashkët rajonal, përmes reduktimit të barrierave, shkurtimit të kohës së të bërit biznes dhe rritjes së konkurrueshmërisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor në prag të integrimit në tregun e përbashkët evropian.
Në këtë kuadër, Ibrahimaj shprehu pritshmërinë që puna e komisionit të përbashkët Shqipëri-Turqi të konkretizohet brenda këtij viti me nisma dhe plane konkrete, që synojnë forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.









